Gjykata e Lartë e mbingarkuar, po shqyrton dosjet e vitit 2007
TIRANE – Mbingarkesa në punën e përditshme në Gjykatën e Lartë është një nga problemet më shqetësuese të këtij institucioni. Konstatimi vjen nga vetë kryegjyqtarja Shpresa Beçaj. Duke folur për Gjykatën e Lartë, kryetarja e saj, Shpresa Beçaj, vuri theksin në ngarkesën e punës së këtij institucioni. Drejtuesja e gjykatës tha se aktualisht togat e zeza të Shkallës së Tretë kishin në duar rreth 7 mijë dosje në shqyrtim. Sipas saj, ngarkesa normale për çdo gjyqtar të Gjykatës së Lartë duhet të jetë 80 dosje në vit dhe më pak se 25 çështje në muaj që duhet të dërgohen në kolegje për këshillim. Më tej Beçaj pohoi se Kolegji Penal aktualisht po gjykonte çështje të vitit 2008, ndërsa dy Kolegjet Civile ende po gjykonin çështje të vitit 2007, për shkak të mbingarkesës. Zgjidhja për problemin e mbingarkesës së gjykatës, sipas Beçajt mund të ishte krijimi i një Kolegji Administrativ në këtë institucion, çka nënkupton shtimin e numrit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë me 5 të tjerë. Beçaj hodhi edhe idenë krijimit të një Gjykate Administrative të Shkallës së Tretë, ose të procedohej me një Këshill Administrativ, siç veprohet në mjaft vende të tjera. Kjo medoemos do të kërkonte sipas kryegjyqtares ndryshime të shumta ligjore, të cilat duhen parë në kuadrin e ndryshimeve të mjaft ligjeve, përfshi edhe atë të KLD-së dhe Gjykatës së Lartë. Në fund Beçaj hodhi idenë edhe për ndryshimet në Kodet e Procedurës Penale, Civile dhe Administrative. Duke analizuar në tërësi problemet e gjyqësorit shqiptar, Beçaj thekson se tre më të rëndësishmit janë: Pavarësia, ndryshimet ligjore dhe sinqeriteti i gjyqtarëve, si tre më akutet që duhet të duhet të zgjidhen nga gjyqësori sa më parë. Beçaj tha dje se gjyqësori vuan nga probleme të shumta, të cilat duhet të zgjidhen sa më shpejt, në mënyrë që drejtësia të funksionojë më mirë. Sipas saj, gjyqësori shqiptar nuk ka arritur pavarësinë e duhur nga pushtetet e tjera, që funksionojnë në vend, çka sjell edhe një sërë problemesh. Po kështu, Beçaj analizoi se, edhe një sërë ligjesh që funksionojnë në vend si ai për KLD-në dhe ai për Gjykatën e Lartë kanë nevojë për ndryshime, në mënyrë që të zgjidhen disa nga problemet aktuale të gjyqësorit. Duke argumentuar këtë, Beçaj gjatë fjalës së vet vuri theksin në vendet vakante të KLD-së, të cilat kanë mbetur peng e Konferencës Gjyqësore. Të paktën disa muaj më parë Beçaj e bëri një përpjekje për të organizuar gjyqtarët shqiptarë, por nuk arriti të mblidhte më shumë se 119 vetë, nga rreth 300 toga të zeza të të tre shkallëve që i kishin konfirmuar pjesëmarrjen. fa.ma.