E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenton të vrasë qenin, plagos dy mbesat 14 e 16-vjeçare



LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Tenton të vrasë një qen, por plagos dy mbesat, 14 dhe 16 vjeçe. Policia e Lezhës bëri të ditur se mbrëmë rreth orës 21:00, Zef Zefi nga fshati Mërqin i Lezhës, plagosi nga pakujdesia dy adoleshentet që ishin duke luajtur me njëra-tjetrën në oborrin e shtëpisë së tyre. Zefi tentoi të asgjësonte një qen që ia kishte sjellë në majë të hundës, pasi i hante pulat e shtëpisë. Kur ai ka vënë re se qeni që i përpinte shpendët ndodhej në oborrin e shtëpisë, ka marrë armën çifte për ta vrarë atë. Ai qëlloi ndaj kafshës, por errësira e pengoi Zefin të shihte dy mbesat e tij, vajzat e vëllait, që ndodheshin vetëm pak metra larg, pas një gardhi. Për pasojë, saçmat e armës kanë plagosur rëndë dy motrat. Britmat e tyre alarmuan xhaxhain, i cili menjëherë i dërgoi ato në spitalin e Lezhës, rreth 15 kilometra larg fshatit ku ndodhi ngjarja. Mjekët e Lezhës bënë të ditur mbrëmë se vajzat 14 dhe 16 vjeçe kanë marrë plagë të rënda dhe ndodhen në gjendje kritike. Pasi kanë konstatuar plagosjen me armë zjarri, bluzat e bardha sinjalizuan menjëherë policinë. Kjo e fundit mbërriti në vend dhe prangosi Zef Zefin, i cili në një farë mënyrë është vetëdorëzuar, duke u pohuar bluve se autori i kësaj ngjarjeje ishte ai. Sipas burimeve, në momentin e ndalimit Zefi ishte në gjendje të rëndë psikologjike. Ai i pohoi grupit të hetimit se ngjarja ishte pasojë e pakujdesisë së tij, pasi po tentonte të vriste një qen që i hante pulat vazhdimisht. "Isha jashtë kur pashë qenin e një fqinji tim që po afrohej. Prej disa kohësh iu turrej pulave dhe i hante ato, ndaj vendosa ta vras. Nuk i pashë dy mbesat e mia, të cilat kishin qenë pas gardhit". Kështu është shprehur Zef Zefi për ngjarjen e rëndë, që për pak u shndërrua në një tragjedi në familjen e tij. Dy vajzat i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe në orët e vona të mbrëmjes, burimet spitalore bënë të ditur se gjendja e tyre ishte në përmirësim. Sipas tyre, nuk ishte i nevojshëm dërgimi i të plagosurave për një trajtim më të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Pas përmirësimit të gjendjes, pritet që adoleshentet të merren gjithashtu në pyetje, që të shpjegojnë edhe ato rrethanat e ngjarjes, nga ku më pas do të vërtetohet nëse plagosja ka qenë aksidentale. Policia mbërriti në banesën e të arrestuarit dhe pas kontrollit të kryer bllokoi në cilësinë e provës materiale çifte me të cilën u krye krimi. Armës do t'i kryhet edhe ekspertiza përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›