Brazili, mbret i Futsalit

Brazili është treguar mbret i Futsalit, pasi e mposhti Spanjën në finalen e madhe të Bangkokut në Tajlandë me rezultat 3:2, të dielën në mesditë. Në finale u takuan dy ekipet më të mira të momentit në botë në këtë kategori dhe jug-amerikanët fituan vetëm pas vazhdimeve, në edicionin e shtatë të këtij turneu prestigjioz.
Hero i verdh e kaltërve, që e fituan titullin e pestë botëror, ishte Neto, i cili realizoi dy gola (25’ e 50’), kurse një gol tjetër e shtoi Falcao (36’). Ndërkaq, golat e Jordi Torras (30’) e Jesus Aicardo (31’) ishin të pamjaftueshëm për ‘Stuhinë e Kuqe’, e cila nuk ia doli t’i hakmerret kundërshtarit të saj për finalen e humbur katër vjet më parë.
Në përballjen tjetër evropiane me atë jug-amerikane, respektivisht për pozitën e tretë, Italia e mposhti Kolumbinë me rezultat bindës 3:0, duke u stolisur me medalje të bronztë. Dygolëshi i Fortinos dhe goli i Romanos i mjaftoi Italisë për të dalë me kokën lartë nga ky eveniment.