Brazili në ethet e ndeshjes së dytë
Kampionët në fuqi të Brazilit po përgatiten për daljen e dytë në grup kundër Paraguajit në Cordoba për Kupën e Amerikës, por këtë herë misioni i të shtunës është vetëm fitorja. Skuadra e Mano Menezes ka qenë zhgënjyese në testin debutues kundër Venezuelës, duke barazuar pa gola në Grupin B. Një traversë e Alexandre Patos e ndaloi Selecaon të kishte fitoren e parë në turne, e tashmë gabimet janë të ndaluara. "Askush nuk e priste një rezultat të tillë. Të gjithë shpresonim në një fitore, por fatkeqësisht nuk u shënua asnjë goldhe nuk morëm tre pikët. Nuk ishte një rezultat i mirë por tani duhet të stërvitemi fort, të shohim gabimet që bëmë në ndeshjen e parë kështu që të mos i përsëritim kundër Paraguajit dhe të arrijmë fitoren," u shpreh Pato. Kompeticioni nuk ka nisur mirë për tre pretendentët e mëdhenj. Organizatorët e Argjentinës janë ndalur 1-1 nga Bolivia, ndërsa edhe Uruguaji nuk ka shkuar më shumë se 1-1 përballë Perusë. "Nuk ka skuadra të dobëta, janë të gjitha në një nivel të lartë dhe kjo është arsyeja pse kundër Paraguajit, do të jetë po aq e vështirë se ndaj Venezuelës," përfundoi Pato. Brazili ka akuzuar edhe fushën si pengesë për lojën kundër Venezuelës, ndërsa është penalizuar edhe nga një vendim i kontestuar arbitrar nga Boliviani, Raul Orosco, që i ka mohuar një 11 metërsh verdhejeshilëve.