Ndryshon pista e Silverstones pilotët u frikësohen kthesave
Ndërkohë, Sebastian Fetel duket gjithnjë e më afër titullit kampion. Felipe Masa e kurorërëzon gjermanin përpara kohe
Çmimi i Madh i Britanisë do të fillojë me aksidente. Ky është parashikimi i pilotit të McLaren Xhenzon Baton, në vigjilje të garës mbi cirkuitin e Silverstone. Pista ka ndryshuar me një ndërtesë gjigande, të quajtur ‘krahu’, duke lëvizur në këtë mënyrë edhe startin nga vendi tradicional. Tani makinat e Formula 1 duhet të ekuilibrojnë shpejtësinë e daljes nga starti me kthesën e ngadaltë, përpara se të vazhdojnë xhiron. "Do të jetë mjaft interesante, dalja nga chicane pas startit e më pas në një kthesë djathtas të ngadaltë, shumë të ngadaltë. Vërtetë nuk e di ç’mund të presësh aty. Duhet të pozicionohemi mirë për të dalë nga problemet sepse mund të ndodhë një përplasje masive në atë kthesë. Mendoj se është vendi më problematik sepse del me shpejtësi dhe duhet të ngadalësosh shumë në kthesë. Kështu nëse ke biletë për të parë startin e garës je me fat sepse do shohësh shumë aksion", ka deklaruar Baton. Britaniku i McLaren e njeh mjaft mirë pistën e Silverstones, jo vetëm për faktin se është cirkuiti i shtëpisë. Kampioni i botës në 2008 poziconohet bashkë me Mark Veber të Red Bull Racing në vendin e dytë të renditjes, me 109 pikë, mjaft të diferencuar nga Sebastian Fetel, gjithashtu me Red Bull, në kuotën e 186 pikëve. Ndërkohë, Felipe Masa, piloti brazilian i Ferrarit, mendon se Sebastian Fetel, lideri aktual i botërorit të Formula 1, duhet të bëjë shumë gabime në mënyrë që të humbasë titullin kampion. “Fetel duhet të bëjë shumë budallallëqe për të humbur këtë titull. Gjithsesi, ne të Ferrarit nuk duhet të dorëzohemi”, shkruan braziliani në blogun e tij. “Gjëja më e mirë për të bërë është që të mos të hedhim sytë nga klasifikimi, por vetëm të punojmë në mënyrë që të përmirësohemi sa më shumë”, shtoi Masa, i gjashti në renditje dhe pa asnjë shpresë për titullin kampion. Sebastian Fetel me Red Bull kryeson renditjen me 77 pikë distancë nga dy pilotët e vendit të dytë, Xhenzon Baton (McLaren) dhe Mark Veber (Red Bull).