Inter, vjen Alvarez, ikën Shnajder
Rikardo Alvarez është i Interit. Skuadra e Masimo Moratit ka nevojë vetëm për të plotësuar disa dokumenta dhe garancitë bankare të kësaj marrëveshje prej 13 milionë e 700 mijë euro dhe më pas mesfushori do të jetë zikaltër. Javën e kaluar, drejtori sportiv i Interit, Piero Auzilio është parë në disa raste me agjentin e lojtarit Marselo Simonian. Kjo ka bërë që skuadra zikaltër të ishte më e avantazhuar ndaj Arsenalit për blerjen e lojtarit. Interi do ta marrë Alvarezin për 11 milionë euro, plus 25% taksa, të cilat 10 % i takojnë shtetit argjentinas dhe 15 lojtarit. Morati e ka dëshiruar me çdo kusht lojtarin. Por ardhja e 23-vjeçarit, shtyn largimin e Shnajder nga skuadra e Interit. Mançester Junajtid vazhdon të jetë shumë e interesuar për fantazistin holandez. Ferguson po zgjedh një lojtar midis tij dhe Modriç. Në argjentinë, Interi po përfiton për të njohur edhe më shumë Ever Banegën, i cili është me kombëtaren e tij. Por deri më tani nuk ka asnjë tratativë për të. Kështu pra që duket se zikaltërit kanë filluar të jenë të lëvizshëm në merkaton e tyre, menjëherë pas konfirmimit të trajnerit Gasperini, i cili do të prezantohet ditën e sotme në orën 13:30.