E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregdeti i Sarandës, në duart e të paligjshmëve

Dora e hekurt e shtetit duket se ndëshkoi të gjithë ata që kishin ndërtuar pa leje në zonat e mbrojtura në bregdetin e Sarandës. Një vit më parë, përfaqësuesi i Policisë Ndërtimore, Aurel Koruni, i cili drejtonte aksionin e policisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në Ksamil dhe në zonat e tjera rreth e rrotull Butrintit, paralajmëroi të gjithë ata që do të guxonin të ndërtonin në zonat e mbrojtura, se shteti do të vepronte me dorë të hekurt. Ka kaluar një vit dhe shteti jo vetëm që nuk veproi, por duket se u ka dhënë dorë ndërtimeve pa leje në Komunën Aliko, të cilat nga ndërtime njëkatëshe dhe kioska prej kashte, sot i shikon me disa kate. Një prej inspektorëve të ndërtimit të kësaj zone tregon të gjitha ndërtimet e paligjshme, që janë ngritur buzë detit, në këtë komunë, pas aksionit të vjetshëm të Policisë Ndërtimore. Asnjë kriter nuk zbatohet në ndërtim dhe nuk ka asnjë masterplan të hartuar. Ndërsa një nga punonjësit e Komunës Aliko, Kozma Moçi, tregon se ndërtime pa leje sivjet janë bërë shumë në zonat më të preferuara. Në vendin e njohur si gjiri i pasqyrave janë ngritur pa leje disa ndërtime private, po kështu edhe në Qafën e Manastirit janë ndërtuar dy ndërtesa të reja. Sipas tij, të gjithë ata persona që janë futur në këto zona me ndërtime të paligjshme dhe kanë zënë pjesët më të mira të plazheve janë njerëz me pozitë shtetërore. Vërshimi me shpejtësi i ndërtimeve pa leje, sidomos drejt zonës së mbrojtur të Butrintit, është ngritur si problem edhe në raportin e fundit të UNESCO-s. Specialistët dhanë alarmin për rrezikimin e kufijve të Parkut të Butrintit, i shpallur trashëgimi botërore. Gjithashtu u bëjnë thirrje banorëve të Ksamilit për ndërgjegjësim ndaj kësaj pasurie. Tre vjet më parë, qeveria kishte dhënë garanci se 50 metra jashtë vijës, ku kalon kufiri administrativ, do të ruheshin të paprekura territoret nga ndërtimet pa leje. Por më pas, specialistët e shohin të rrezikuar këtë kufi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›