Parku i Liqenit, si varri i Nastradinit
Parku i madh i liqenit artificial të Tiranës është si varri i Nastradinit, i cili ka katër shtylla, pa rrethim fare, por që ka një dryn të madh. Edhe në tre rrugë hyrëse për në parkun e madh të liqenit të Tiranës shikon nga një kabinë roje dhe një tra, apo blloqe betoni që të pengojnë hyrjen e automjeteve në ambientet e parkut. Por nëse je pak i duruar dhe ecën pak më lart, gjen rrugë hyrëse për në park sa të duash. Askush nuk të ndalon. Madje në rrugën që nga Fakulteti Gjeologjik drejt parkut shikon një kabinë roje, ku nuk ka asnjë njeri dhe një tra që nuk është asnjëherë i ulur dhe gjithkush mund të kalojë pa u penguar. Nëse kalon përgjatë murit rrethues të këtij parku, duke ecur gjithmonë në Rrugën e Elbasanit, gjen edhe rrugica të tjera që të mundësojnë hyrjen në këtë park pa qenë e nevojshme që të kalosh ndonjë postbllok. Më 30 prill të vitit të kaluar, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi që ta caktojë territorin e parkut të madh të Liqenit Artificial, si zonë me trafik të kufizuar. Madje, lejoheshin që të kalonin në këtë territor vetëm automjetet e autorizuara nga bashkia e kryeqytetit, por qarkullimi duhet të ishte i organizuar sipas orareve të miratuara nga kryetari i bashkisë. Një muaj më pas, kryebashkiaku i Tiranës nxori një tjetër urdhër, që rregullonte qarkullimin e automjeteve të autorizuara. Kështu, automjetet e Gardës së Republikës dhe Presidencës ju la si rrugë hyrëse dhe dalëse në Parkun e Madh të liqenit të Tiranës, Rruga e Elbasanit, përbri Fakultetit të Gjeologji-Minierave. Ndërsa, automjetet e ndihmës së shpejtë, policisë, zjarrfikëseve ju la rruga nga krahu verior i parkut, në krah të hyrjes së Gardës së Republikës. Furnizimi i njësive tregtare që ndodhen brenda territorit të parkut u la që të kryhej nga ora 00:00-02:00 e mëngjesit, gjithmonë nga rruga që ndodhet në krah të hyrjes së Gardës së Republikës së Shqipërisë. Po kështu u ndanë edhe hyrjet për shkollat private, që ndodhen në këtë territor. Ky urdhër hyri në fuqi menjëherë, por jo në të gjitha pikat hyrëse. Kjo funksionoi vetëm për pjesën veriore të parkut. Nga Rruga e Elbasanit të gjithë mund të hyjnë dhe të dalin lirisht me automjete dhe të lëvizin të qetë në territorin e parkut të madh të liqenit të Tiranës. Ky park ndodhet në jug të Tiranës dhe e ka emrin në saj të liqenit artificial të ndërtuar në atë vend në vitet ‘50-të.