E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregdeti jonian deri në 7 orë pa drita, rrezikohet turizmi



Pikërisht në kulmin e sezonit turistik duket se KESH-i ka nisur ndërprerjet e energjisë në zonën më të frekuentuar nga turistët në vend, në Rivierën joniane. Duke filluar që nga Orikumi, për të vijuar me Dhërmiun, Palasën, Qeparoin, Jalën, Himarën, Borshin e deri në Sarandë, kufizimet e energjisë kanë kapur të gjithë paraditen. Sipas të dërguarve në zonë, mësohet se kufizimet shkojnë nga 6-8 orë në ditë. Pushues në qytetin e Himarës kanë bërë të ditur për gazetën “Albania” më anë të telefonatave dhe SMS-ve se aty “kufizimet e energjisë vijojnë që nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 15:00 të pasdites”. Ndërkohë, të tjerë pushues nga Jala thonë për gazetën se “edhe gjatë orëve të mbrëmjes, kur energjia vjen, ajo është me një tension tepër të ulët dhe nuk arin që të furnizojë as pajisjet më elementare elektronike”. Ndërkohë, tregtarë dhe biznesmenë nga qyteti i Himarës bëjnë të ditur për gazetën se, “ndërprerjet e energjisë gjatë orareve më kryesorë të ditës po rrënojnë bizneset e tyre dhe po krijojnë pakënaqësi te pushuesit e shumtë që në pjesën dërmuese janë nga kryeqyteti”. Ata vijojnë më tej se po të mos jetë për stabilizatorët e energjisë, asnjë pajisje elektronike apo elektroshtëpiake nuk do të funksiononte në qytetin e Himarës. Këtë gjë e tregon qartë edhe konsumimi i gazit të lëngshëm nga familjarët dhe pushuesit, të cilët po blejnë bombola të mëdha gatimi për ditët e pushimit. Kjo gjë shihet edhe gjatë mbrëmjeve, kur në fast-food-et dhe lokalet e skarës të Himarës, pushuesit e uritur dynden për të blerë për të ngrënë pasi restorantet dhe lokalet e tjerë nuk kanë mundur që të punojnë gjatë drekës. Por edhe në kryeqytet kufizimet e energjisë janë me orë të zgjatura prej disa muajsh, kjo sipas OSSH-së, “për shkak të defekteve në linja”. Vetëm në muajin shtator nuk do të ketë më kufizime të energjisë elektrike për shkak të remonteve, konfirmohet nga burime zyrtare nga OSSH-ja. Gjatë dy muajve të verës sistemi i shpërndarjes ka nisur remontet në të gjithë vendin duke sjellë kufizime të ndjeshme të energjisë.

5 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›