Prangoset pronari i firmës së mobilieve, po trafikonte klandestinë drejt Italisë
DURRËS – Një pronar i një firme mobiliesh ka rënë në pranga bashkë me shoferin e tij, pasi tentoi të kalojë përmes Portit të Durrësit drejt Italisë 5 klandestinë, të cilët u gjetën të fshehur në një kamion. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmë, gjatë një kontrolli të udhëtarëve të njërit prej trageteve të linjës Durrës – Bari, u gjetën brenda një kamioni me targa TR 0828 J, në pronësi të firmës “FPM” 7 persona. Sipas tyre, të ndaluarit janë Ermal Zeneli, Fatmir Neziri, Edison Ruka, Indrit Ishulli, Xhelal Ruci, i cili ishte shoferi i kamionit Sajmir Zenelaj, dhe pronari i firmës së mobilieve Fatlum Muralla. Ata nuk kanë arritur ti shpëtojnë filtrit të kontrollit në pikën kufitare. Ndalimi i 7 personave u bë rreth orës 18 e 30, pikërisht në kohën që po përgatiteshin për tu futur në tragetin “Adriatika” të linjës Durrës-Bari. Burimet policore shprehen se ka dyshime për një rrjet të mirë-organizuar trafiku klandestinë. Sipas tyre, të pesë shtetasit e ndaluar ishin nisur në grup nga Tirana dhe më pas kishin hipur në kamion, në përpjekjen për të kaluar fshehurazi në traget. Kamioni në pronësi të firmës “FPM” i kishte të gjithë dokumentacionet dhe procedurat doganore, sipas kritereve të parashikuara në ligj. Nga hetimet e para rezulton se pronari i firmës së mobilieve Fatlum Muralla mund të kishte marrë përsipër kalimin e 5 shtetasve në Itali përmes Portit të Durrësit kundrejt shumave të konsiderueshme të parave. Tashmë, Muralla akuzohet për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Të 7 personat e ndaluar janë marrë në pyetje mbrëmë nga ekspertët e anti-trafikut në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit.
Materialet procedurale po përgatiten nga policia e qytetit bregdetar dhe pritet ti kalojnë prokurorisë për hetime të mëtejshme. Dy javë më parë policia arrestoi mbi 18 persona, përmes operacioneve të koduara “Korridori i lirë”, “Igumenica” dhe “Butrinti”, të cilët ishin pjesë e një rrjeti të trafikut të klandestinëve nga Shqipëria drejt Greqisë dhe më pas drejt Italisë.
TË ARRESTUARIT
Fatlum Muralla, pronari i firmës “FPM”
Sajmir Zenelaj, shoferi i firmës “FPM”
Ermal Zeneli
Fatmir Neziri
Edison Ruka
Indrit Ishulli
Xhelal Ruci
5 Gusht 2008