Prangoset tritolvënësi i ish-Azotiku, po vinte kabllot elektrikë
FIER – Brenda 24 orësh është bërë e mundur që të zbardhet ngjarja e shpërthimit tek mjediset e ish Uzinës së Azotikut, ku dje policia ka prangosur një shtetas, si autor i dyshuar i kësaj ngjarje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se është shoqëruar shtetasi Arben Hoxha, lindur dhe banues në fshatin Drizë.
“Hoxha u arrestua nga forcat e policisë së Fierit, pasi dyshohet si autor i vendosjes së lëndës plasëse në kanalin kryesor në Repartin e uresë tek ish-Azotiku Fier, me qëllim vjedhjen e telave prej bakri", - thanë burimet policore. Sipas hetimeve, lënda plasëse ishte vendosur për të hapur kapakët e betonit të kanalit pranë ish-Azotikut, ku kalonin tela (kabëll) të tensionit të lartë prej bakri. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj. Sipas tij duhet një seriozitet në trajtimin e çështjeve që lidhen me objekte të rëndësisë së veçantë. “Mbrojtja e këtyre objekteve duhet të bëhet nga policia e rendit”- tha ai, duke kujtuar se së fundi këto objekte mbrohen me efektivë të policisë private.
Ngjarja
Mesnatën e së dielës është dëgjuar një shpërthim në këtë zonë duke terrorizuar banorët, disa prej të cilëve kanë tentuar të largohen nga banesa. Burime zyrtare të policisë së Fierit bënë të ditur se disa persona kanë tentuar të vjedhur disa kabllo elektrikë, të cilët shtrihen në zonën ku ndodhi shpërthimi. Të njëjtat burime shtuan se sasia e lëndës plasëse është artizanale, nitrat i përzier me naftë. Policia e Fierit mohon që në ambientet e ish-ndërmarrjes së azotikut të jetë gjendur tjetër sasi e rrezikshme plasëse. Sipas tyre, në këtë ambient ka shumë lëndë kimike të rrezikshme në rast shpërthimesh dhe provokimesh nga faktorë të jashtëm, por mohuan pretendimet e zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje. Pas shpërthimit u gjetën edhe rreth 200 kilogramë tritol shumë afër vendit, ku ndodhi shpërthimi i parë. Burime të brendshme në ish-ndërmarrjen e azotikut bënë të ditur se, ngjarja e dy netëve më parë për pak do të ishte kthyer në tragjedi, duke aluduar edhe për ndonjë akt të mundshëm terrorist. Shpërthimi ndodhi në vendin e quajtur reparti i "Urës së Re", në kanalin kryesor me kapak betoni në të cilin kalojnë kabllo prej bakri të tensionit të lartë. Banorë të cilët jetojnë fare pranë ish-uzinës u shprehën se ishin tronditur nga ky shpërthim, aq sa për pak çaste u larguan nga banesat. Ndërsa punonjësit e brendshëm të ish-uzinës e përshkruajnë si tepër të rrezikshme këtë situatë. Nëse kjo do të ndodhte, atëherë pasojat do të ishin katastrofike. Shpërthimi rrezikoi të shembë edhe një nga kullat në të cilën ndodhen 100 tonë cianur dhe acid nitrik. Tashmë policia ka prangosur njërin nga autorët e dyshuar. Ndërkohë që pritet të ketë të tjerë persona të ndaluar në lidhje me këtë ngjarje.
Operacionet, asgjësohen 260 rrënjë Cannabis në Jug
GJIROKASTËR - Policia e Gjirokastrës asgjësoi në orët e para të ditës së sotme (e hënë) 260 rrënjë bimë narkotike të llojit Cannabis Sattiva në komunën e Zagorisë, rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Gentian Mullai, tha se policia lokale evidentoi paraditen e djeshme dhe më pas shkatërroi një parcelë të mbjellë me bimë narkotike në fshatin Hoshtevë, të komunës së Zagorisë në rrethin e Gjirokastrës. “Parcela ishte hapur rishtas në mes të pemëve të larta në dalje të këtij fshati dhe në të u evidentuan 260 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si Cannabis Sattiva”, tha Mullai, duke shtuar se bimët narkotike varionin nga 140 deri në 180 centimetra lartësi. Operacione u zhvilluan edhe në Hormovë të Tepelenës ku u asgjësuan mbi 62 rrënjë Cannabis. Burimet zyrtare nuk raportojnë për ndalim të kultivuesve të bimëve narkotike.
Arrestohet, kërcënoi grupin e gatshëm gjatë kontrollit në disko
DURRËS – Zhurma dhe mosrespektimi i rregullave në lokalet e natës vazhdon të mbetet burim konflikti mes forcave të rendit dhe qytetarëve. Edhe mbrëmjen e së dielës është regjistruar një ngjarje e tillë, ku policia ka ndaluar një 24-vjeçar, pasi ka kundërshtuar policët e grupit të gatshëm. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është ndaluar në kushtet e flagrancës shtetasi Alban Çela, lindur dhe banues në lagjen Nr. 1, pasi në një lokal nate ka fyer dhe kanosur një punonjës policie.
5 Gusht 2008