E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të kërkuar bien në grackën e policisë së Portit



DURRËS – Dy persona të kërkuar nga drejtësia janë prangosur teksa po hynin në Shqipëri përmes Portit të Durrësit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se janë ndaluar shtetasit Ndriçim Malollari, i dënuar më 4 muaj burg për plagosje dhe Eduar Lamaj, i akuzuar për trafik klandestinësh. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut të Durrësit 27-vjeçari Malollari, ishte dënuar më parë për plagosje të lehtë me dashje dhe ishte shpallur në kërkim nga komisariati Policisë Nr. 3 në kryeqytet pasi prokuroria ka nxjerrë Urdhrin e ekzekutimit. Shtetasi në fjalë iu dorëzua për veprime të mëtejshme policisë së Tiranës. Ndërsa 24-vjeçari Lamaj, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë, ishte dënuar më parë për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri. Ai ishte dënuar për këtë vepër penale me 400 ditë burg.

Trafikoi cigare dhe pije kontrabandë, prangoset

MALËSI E MADHE – Një 58 vjeçar u ndalua nga policia e Malësisë së Madhe, pasi u kap në flagrancë me një sasi cigaresh kontrabandë dhe birrë, të cilat i kishte futur në territorin shqiptar nga Mali i Zi. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se shtetasi Leko Çekaj, lindur në fshatin Vrakë të rrethit të Malësisë së Madhe dhe banues në qytetin e Podgoricës, në Malin e Zi, po udhëtonte me automjetin e tij tip Mercedez – Benz 200 D, me targa SH 1844 D, kur u ndalua nga policia e Malësisë së Madhe. Nga kontrolli në automjet, sipas burimeve zyrtare, u zbuluan 60 steka me cigare të markës “Slims”, pa pullën fiskale të Ministrisë së Financave si dhe 18 shishe 15 ml birrë të markës. Tashmë kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje, ndërsa 58-vjeçari Çekaj ndodhet i prangosur në mjediset e paraburgimit të komisariatit të Shkodrës.

5 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›