Kujdes!!! Serish probleme me parate ne bankomate
Ervin Koçi
Përsëri kthehen problemet e qytetarëve me bankomatet e rrugës të instaluara nga bankat private. Edhe pas aksionit të pak kohëve më parë “Matrix 4” për kapjen e një grupi hakersash që tentuan të grabitnin nëpërmjet bankomateve, kanë qenë pikërisht këta të fundit që kanë dhënë probleme kësaj here. Kohet e fundit është shtuar numri i qytetarëve që ankohen për shërbimin me karta debiti në bankomatet e disa prej bankave tregtare në vend. Qytetarë të ndryshëm, klientë të bankave që ofrojnë shërbimet me bankomate, shprehen se aparaturat e parave kanë nisur t’u mbajnë atyre një pjesë të kartëmonedhave nga shuma e kërkuar. Kjo nuk ka lidhje me komisionet bankare, por me defekte të ndryshme të aparaturave të cilat nuk të japin të gjithë shumën e kërkuar në tastierën e bankomatit nga klienti, edhe pse këtë e pasqyrojnë si të kryer në faturat që nxjerrin më pas. Këto probleme i kanë paraqitur ditët e fundit disa prej aparaturave të vendosura në pika të ndryshme të kryeqytetit, të cilat i përkasin jo një, por disa bankave private. Të pyetur nga gazeta për këtë problem, personat që punojnë në zyrat e marrëdhënieve me publikun dhe mediat në këto banka nuk e kanë pranuar faktin. Madje, disa prej punonjësve në disa banka kanë ngritur supet të habitur, duke pretenduar se, "bankomatet e bankës së tyre nuk kanë pasur më parë probleme të tilla". Më realistë janë treguar përfaqësuesit e dy prej bankave kryesore private në vend, që, të informuar edhe më parë nga klientë të ndryshëm për problemin, kanë nisur menjëherë teknikët për të kontrolluar bankomatet.
Defektet
Sipas ekspertëve të bankave private në vend, bankomatet janë makineri elektronike që për një arsye ose një tjetër edhe mund të prishen ose të pësojnë defekte. Të tilla mund të jenë: nga keqpërdorimi i klientëve me apo pa dashje, nga ndërhyrja në to e individëve keqbërës, nga ndonjë qark elektrik etj. Por edhe pse disa banka kanë nisur nga kontrollet e aparaturave të tyre të ndodhura gjithandej në rrugët e kryeqytetit, shumë klientë të kujdesshëm kanë konstatuar mbajtje të një sasie parash nga shuma e kërkuar duke shkuar menjëherë në bankën përkatëse për t’u ankuar për rastet e ndodhura dhe të përsëritura. Frika e klientëve për ndonjë ndërhyrje të ndonjë hakersi apo hajduti profesionist ka qenë ndër arsyet kryesore që kanë çuar jo pak klientë drejt zyrave të bankave që kanë nën administrim bankomatet.
Shërbimi me karta
Bankat private në vend ofrojnë disa lloje kartash krediti dhe debiti të cilat kanë nisur të përdoren nga jo pak klientë që i përkasin mushave dhe kategorive të ndryshme. Ndër kartat që ofrohen nga bankat tona private janë ato të kreditit (për blerje të ndryshme) si: VISA, MasterCard, apo dhe karta debiti (vetëm për tërheqje parash në bankomate) si: VISA Electron, Maestro etj. Kartat janë të lidhura me llogaritë bankare të klientëve, por kanë limite të ndryshme. Karta e debitit mund të përdoret për sa kohë klienti ka lekë në llogarinë e tij, ndërsa ajo e kreditit mund të shkojë edhe në minus në varësi të marrëveshjes mes klientit dhe bankës përkatëse. Por si çdo sistem kompjuterik, edhe sistemi bankar me karta është një sistem ku faktori njeri është kyç në mbarëvajtjen e gjithë proceseve. Rreziku i humbjeve financiare të klientëve si rezultat i përdorimit të kartave është më i madh si rrjedhojë e pakujdesisë së përdoruesve të kartave, sesa problemeve me pajisjet që bëjnë të mundur përdorimin e kartave.
BOX///////////////////////////
Çfarë janë bankomatet dhe si përdoren ato
Bankomatet e bankave private, ose të njohura në gjuhën profesionale edhe si “ATM”, janë aparate të vendosura nga bankat edhe larg ambienteve të zyrave të tyre, me qëllim krijimin e kushteve lehtësuese për klientët që kërkojnë në çdo kohë të qarkullojnë para. Këto aparatura montohen gjithandej në mënyrë që klientët të kenë akses në fondet e tyre në cash gjatë gjithë kohës, 24 orë në ditë. Bankomatet gjenden kryesisht në afërsi të degëve të bankës, por edhe në vende tjera si qendra biznesi, supermarkete etj. Nxjerrja e cash-it kryhet sipas një procedure të tillë: klienti fut kartën (debit apo kredit) dhe pastaj vendos “PIN”-in, një kod personal 4 shifror që identifikon klientin dhe kartën me sistemin e bankës. Më pas ai mund të kërkojë në bazë të tastierës së bankomatit dhe ekranit ku shfaqet udhëzuesi elektronik, sasinë e parave që kërkon të tërheqë, duke i marrë ato dhe bashkë me kartëmonedhat edhe faturën përkatëse të transaksionit.
Këshilla të përdorimit të kartës në bankomat
1. Bëni kujdes në mënyrën se si dhe se ku e mbani kartën tuaj (debiti ose krediti). E këshillueshme është mbajtja në xhepat e portofolit ku mbani edhe karta e tjera dhe larg vendeve ku mund t’i laget qarku.
2. Mos e mbani kartën tuaj në të njëjtin vend ku mund të keni shënuar edhe kodin PIN, se mund t’ju humbasin njëherësh që të dyja. Mbajini të ndara dhe mundësisht fiksojeni përmendësh kodin PIN, me qëllim që të evitoni shkrimin në ndonjë letër.
3. Mos i kryeni veprimet në bankomat me kartën tuaj në praninë e personave të tjerë, sidomos të të panjohurve. Mund t’ju përgjojnë dhe shikojnë formimin e kodit PIN.
4. Nëse ju bezdis ndonjë person nga pas jush, është më mirë të braktiset bankomati pa tërhequr lekë, por duke marrë kartën me vete.
5. Nuk duhet të lejohet ndonjë person i huaj t’ju “ndihmojë” me kartën në qoftë se keni probleme. Më mirë kërkoni ndihmën e punonjësve specialistë të bankës.
6. Kur shtypni tastierën e bankomatit për të shënuar kodin PIN, vendoseni mbi dorën që po kryeni veprimin edhe dorën tjetër në formë mbuluese për të eliminuar fiksimin e kodit tuaj nga ndonjë kamera e vendosur nga grabitës profesionistë.
7. Gjithmonë, pas çdo tërheqje të parave në cash, merrni raportin në letër që nxjerr bankomati (nëse e keni kryer), dhe patjetër edhe kartën.
8. Verifikoni periodikisht gjendjen e llogarisë dhe raportet që keni nxjerrë nga bankomati për të parë për ndonjë transaksion të dyshimtë.
5 Gusht 2008