Predha shqiptare në tragetin me pasagjerë, dogana italiane zbuloi trafikun
Trafikimi i municioneve shqiptare drejt vendmbërritjeve të dyshimta është kryer nëpërmjet linjës detare Durrës-Trieste. Gjatë viteve 2002-2005 në drejtim të Italisë janë transportuar mijëra gëzhoja të pajisura me kapsolla, të cilat nuk mund të konsideroheshin si skrap ushtarak. Zbulimin e ka bërë gazeta italiane “Il Picolo di Trieste”, e cila raporton për disa raste të sekuestrimit të gëzhojave me vendmbërritje të dyshimtë në Portin italian të Triestes. Në datën 29 shtator të vitit 2005 gazeta raporton në lidhje me bllokimin e një kamioni shqiptar, i cili transportonte skrap për një fonderi lombarde. Sipas raportit, në Portin e vjetër të Triestes janë sekuestruar mbi 2000 gëzhoja të pajisura me kapsolla me lëndë shpërthyese, të cilat u përkisnin pushkëve gjysmë-automatike, automatikëve, topave, mortajave e obusëve. Së bashku me këto municione janë sekuestruar edhe 953 pajisje për ndezjen e barutit të zi dhe një kilogram barut lëshimi (barut pa tym). Mallrat kanë mbërritur me një traget udhëtarësh të linjës Durrës-Trieste, ndërsa në dokumentet e përpiluara nga dogana shqiptare ishin regjistruar si “skrap bakri dhe tunxhi për shkritore”. Në raportimin e gazetës “Il Picolo di Trieste” thuhet se “nuk përjashtohet mundësia që materiali ushtarak të jetë i destinuar për aktivitete të tjera, dhe jo për në fonderi”.
Trafiku
Se cilat janë këto aktivitete të tjera, nuk thuhet në artikullin e shkurtër të gazetës italiane. Ajo që është e sigurt është se gëzhojat me kapsolla nuk mund të hynin në fonderitë italiane, pasi do të shkaktonin një shpërthim të sigurt me pasoja të pallogaritshme. Njëkohësisht ato nuk ishin të destinuara për demontues të specializuar në shtetin fqinj. Ndërsa flitet për predha topi, mortaje e obusi, dyshimet janë se destinacioni i tyre nuk ishte shkrirja, por rimontimi. Kush mund ta bënte një gjë të tillë? Natyrisht që shteti italian jo, pasi në rast se do të kishin nevojë, nga Shqipëria mund të merrnin zyrtarisht çdo municion të nevojshëm. Por edhe organizatat kriminale apo mafioze të Italisë nuk kanë filluar të përdorin topa e mortaja. Kjo lloj artilerie fushore përdoret në shkallë të gjerë nga organizata terroriste që kanë mbështetje gjysmështetërore si dhe nga lëvizjet guerile, veçanërisht në Afrikë, ku ka stoqe të mëdha armatimesh të ish-Traktatit të Varshavës, që kanë nevojë për municionet përkatëse. Në këtë mënyrë, duke hyrë ilegalisht në Itali, ka qenë më i lehtë rialokimi i tyre në anije të tjera dhe dërgimi për në vendet e përfshira në konflikt, duke pasur si port nisjeje atë të një vendi të Bashkimit Europian. Por historia nuk mbaron me kaq. Një javë më vonë një tjetër ngarkesë bllokohet në Portin e vjetër të Triestes. Këtë radhë bëhet fjalë për 300 predha të kalibrave të ndryshëm, të cilat gjithashtu kanë mbërritur në Trieste me tragetin “Espresso Venezia”, në bordin e një kamioni të ngarkuar në Durrës.
Zbulimi
Rasti raportohet në gazetën e datës 8 tetor të vitit 2005. Këtë radhë destinacioni i kamionit ishte një fonderi pulieze. Kjo do të thotë se, ndonëse duke pasur në dispozicion linjën më të shkurtër e më pak të kushtueshme Durrës-Bari, titullari shqiptar i firmës ka preferuar t’i dërgojë me det në Trieste e më pas me kamion deri pranë Barit. Ndoshta sepse Porti i Triestes është konsideruar më pak i mbikëqyrur nga autoritetet ligjzbatuese të shtetit fqinj. Një tjetër skandal, pasi në një traget që transportonte edhe pasagjerë janë ngarkuar armatime. Që përpara Luftës së Parë Botërore ligjet ndërkombëtare e ndalojnë transportimin e mallrave të rrezikshme ushtarake me anije pasagjerësh. Në informacionet e servirura nga dogana italiane bëhet fjalë për “municione jashtëzakonisht të rrezikshme, të fshehura me mjeshtëri nën ngarkesën normale të skrapit”. Njëkohësisht dogana njofton se autoritetet italiane kanë nisur procedimin penal ndaj titullarit shqiptar të firmës, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ndërsa gazeta e Triestes shton se e njëjta firmë me të njëjtin titullar ka sjellë materiale të tilla të rrezikshme dhe me destinacion të dyshimtë edhe në vitin 2002.
Transportuesi
Kush është kjo firmë dhe ky pronar? Italia nuk thotë asgjë zyrtarisht, por është e qartë se e njëjta firmë ka filluar trafikimin e municioneve në kohën kur ministër i Mbrojtjes ishte Pandeli Majko dhe ka vazhduar edhe në kohën e Fatmir Mediut. Ndërsa në Itali kanë filluar hetimet, pa ndonjë rezultat të deklaruar, në Shqipëri gjithçka është mbuluar me heshtje. Është detyra e Prokurorisë shqiptare të zbardhë nëse firma që ka trafikuar predha duke kaluar transit nëpërmjet Italisë, është e njëjta që “demontonte” stoqet në Gërdec, atje ku u vranë 26 shqiptarë. Të gjitha këto informacione nga burime të hapura është vështirë të kenë kaluar pa dijeninë e organeve kompetente shqiptare, si SHIK-u dhe SHIU, të cilat diku duhet të kenë raportuar. Ndërkohë nuk mund të përjashtohen nga përgjegjësia edhe doganat shqiptare. Sipas raporteve italiane, lloji i mallit që transportohej nuk përputhej me dokumentacionin e përpiluar nga autoritetet doganore shqiptare, ndërsa një tregti të tillë skrapi ushtarak mund ta bënin vetëm subjekte të licencuar.
Marrë nga e përjavshmja “Lajmi”
BOX
Agjencia e Doganave
Nr. Protokolli 4126 Romë, më 06 tetor 2005
KOMUNIKATË PËR SHTYP
DOGANA E TRIESTES
SEKUESTRIM GËZHOJASH TË ARTILERISË SË RËNDË
DHE MATERIALI EKSPLOZIV
Funksionarët e Doganës së Triestes (Pika Franko i Vjetër), në bashkëpunim me komandën lokale të “Guardia di Financa”, kanë sekuestruar në zonën portuale 2.004 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm (125 mm, 100 mm, 85 mm e 37 mm), të gjitha të pajisura me kapsollën aktive, 953 sisteme të ndezjes së barutit të zi dhe 1 kg. barut lëshimi.
Materiali luftarak, i mbërritur në Trieste në bordin e një kamioni të nisur nga Shqipëria dhe i destinuar për një firmë lombarde, ishte i fshehur me mjeshtëri nën një ngarkesë skrapi prej bakri dhe tunxhi.
Operacionet e verifikimit janë zhvilluar së bashku me bërthamën e xhenierëve të Policisë së Shtetit që, përveç gëzhojave, ka konstatuar edhe praninë e materialit eksploziv.
Në ngarkim të titullarit të firmës shqiptare mendohet të ngrihet akuza për shkeljen e nenit 1 të Ligjit 895/67, për futjen e jashtëligjshme në territorin e shtetit italian të pjesëve të municioneve luftarake dhe eksplozivëve.
5 Gusht 2008