Bregdeti, kritere të forta për ndërtimet
KRTRRSH miraton masterplanin për ndërtimet në bregdet
Berisha: Pushteti vendor të nisë hartimin e planeve rregulluese
Ndërtimet që do të kryhen përgjatë bregdetit jonian do t’i nënshtrohen tashmë një masterplani. Ndërtimet tash e tutje në këtë vijë bregdetare do t’i nënshtrohen kritereve dhe kushteve të forta dhe askush nuk mund të ngrejë objekte me leje komune e bashkie, që nuk i përmbahet këtij masterplani. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi dje në mbledhjen e radhës, masterplanin e bregdetit jonian. Ky masterplan nuk lejon që asnjë bashki, komunë, apo individ të ndërtojë sipas dëshirës apo nevojave të tyre. Masterplani i miratuar dje brenda gjashtë muajve hyn në fuqi dhe pas kësaj periudhe asnjë ndërtim nuk do të ngrohet më në bregdetin e Jugut, nëse shkel kriteret e vendosura nëpërmjet këtij vendimi. Ky ishte një nga vendimet e para të KRTRRSH-së, që u mblodh dje pasdite, të cilin e drejtoi Kryeministri Berisha. Pushteti lokal, i të gjitha niveleve, do të fillojë hartimin e planeve rregulluese të zonave të tyre administrative, por duke pasur parasysh pikërisht masterplanin e miratuar. Berisha, si kryetar i KRTRRSH-së, ishte dje kategorik sa i takon ndërtimit në truall ku më përpara ka qenë ullishte apo pyll. “Nuk do të lejojmë në asnjë lloj mënyre që të bëhen ndërtime në këto troje, madje zjarret në pyjet e këtij bregdeti do të konsiderohen të qëllimshme. Gjithashtu, nuk do të lejojmë që pronarët e ullishtave të ndërtojnë në ullishtat e djegura deri kur të mos mbillen rrënjë të reja me ullinj”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, pyjet, ullishtat janë pasuri kombëtare dhe do të ketë sanksione të ashpra për ata që i djegin këto pasuri, qoftë edhe pronarët e tyre. Kryeministri bëri të ditur se qeveritë vendore do ta respektojnë me rigorozitet këtë masterplan dhe mund të ketë ndërhyrje në të, vetëm në raste të veçanta dhe kjo me miratim vetëm të KRTRRSH-së. Ai e vlerësoi këtë masterplan që i plotëson të gjitha standardet e kërkuara, si për ndërtimin, ashtu dhe për mbrojtjen dhe ruajtjen e asaj pasurie të madhe natyrore që ka ky bregdet. Masterplani është miratuar më pare dhe nga KRT-ja e Bashkisë së Vlorës. Ky projekt u realizua në sajë të një financimi të Bankës Botërore me një fond prej 30 milionë dollarësh.
Gjana: Prodhimi vendas mbulon 80 % të kërkesave të konsumatorëve
Tregu vendas më së shumti tregton produkte vendi dhe jo ato të importit. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, tha dje se prodhimet vendase kanë një rrite të dukshme, madje një pjesë e tyre po eksportohen drejt vendeve të tjera. Eksportet e prodhimeve bujqësore shqiptare janë rritur në këto gjashtë muaj të parë të vitit 2008 me rreth 25 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që prodhimi vendas po plotëson rreth 80% të kërkesave të konsumatorëve për produktet bujqësore dhe blegtorale. Ministri Gjana tha dje se “shifrat vërtetojnë se shumica e produkteve bujqësore dhe blegtorale prodhohen në vend”. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të publikuara për 6-mujorin e parë të vitit 2008, ministri tha se, janë prodhuar rreth 671 mijë ton perime dhe 148 mijë ton fruta, ndërkohë që janë importuar 17 mijë ton perime dhe 90 mijë ton fruta. Sipas tij, janë prodhuar 155 mijë ton patate, 146 mijë ton rrush, 21 mijë ton fasule, ndërkohë që importet për këto produkte janë përkatësisht në nivelet, 19 mijë ton, 7 mijë ton dhe 286 ton. Në dy vitet e fundit, tha ministri Gjana, janë shënuar ritme të rritjes edhe për prodhimet blegtorale dhe agro-ushqimore, si prodhimi i djathit, proshutës, mjaltit, ullinjve etj. Rritja e prodhimit vendas, përfundoi ministri Gjana, solli furnizim të tregjeve me këto produkte dhe një rënie të çmimeve për produktet e sezonit. Ndërkaq Gjana ka sqaruar se në këto dy vitet e fundit, bujqësia shqiptare ka përfituar, nga fondet buxhetore mbi 15 milionë dollarë, nga zbatimi për herë të parë i një politike të re për bujqësinë, “Programi i skemave mbështetëse financiare për fermerët”, praktikë kjo tashmë e konsoliduar në bujqësinë e vendeve të BE. Ministri Gjana tha se “suksesi i zbatimit të kësaj skeme do të vazhdojë edhe në të ardhmen me fonde edhe më të mëdha, ndërkohë që investime të tjera do të ndjekin hap pas hapi ngritjen e rrjetit të marketingut dhe kontrollit ushqimor”.
Investimet në infrastrukturë po rrisin vlerën e aseteve bujqësore
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana ,cilësoi në konferencën e djeshme për shtyp se investimet në infrastrukturën rrugore, të ndërmarra nga qeveria shqiptare, janë një mbështetje direkte edhe për bujqësinë. “Investimet në rrugë e kanë kthyer Shqipërinë tashmë në një kantier të rehabilitimit të infrastrukturës rrugore, përfshirë këtu dhe 400 milionë euro për ndërtimin e rrugëve rurale, që pritet të ndikojnë në rritjen e vlerës së tokës bujqësore në këto zona, vlerën e aseteve bujqësore, nxitjen e prodhimit dhe lehtësimin e transportit të produkteve”. Me ndërtimin e rrugëve, tha Gjana, bujqësia është sektori që përfiton më shumë.
Buxheti i shtetit, investime për infrastrukturën dhe shkollat në Krumë
Investimet në Bashkinë e Krumës me fonde të buxhetit të shteti janë drejt përfundimit. Kryetari i bashkisë, Bardhyl Peka, tha se "investimet kryesore me fondin prej 48 milion lekësh të buxhetit të shtetit, të miratuara nga këshilli bashkiak, janë drejt përfundimit. Kështu, ka përfunduar rikonstruksioni i rrugëve kryesore të qytetit të Krumës, ndriçimi i tyre, proces që kryhet për herë të parë në këtë qytet, si dhe po vazhdon puna për ndërtimin e tregut të lirë të qytetit". Në këtë qytet, veç investimeve që po kryhen nga buxheti i shtetit, impakt pozitiv po japin edhe investimet e PNUD-it, investime këto të përqendruara në rikonstruksionin e rrugës Cahan-Mujaj, në rikonstruksionin e shkollës së mesme të përgjithshme Krumë, në rikonstruksionin e kanaleve të ujërave të zeza të lagjeve “Barak” e “Radë”, si dhe në shtimin e sipërfaqeve të gjelbëruara në mjediset e aksit kryesor të qytetit. "Në këto investime, bashkëfinancues është edhe bashkia me një fond prej 9 milion lekësh", - thotë Peka. Gjatë këtij viti investimet në këtë rreth nga granti i pakushtëzuar janë 19.038.000 lekë, ndërsa investimet e kushtëzuara arrijnë në 103.876.000 lekë. Këto investime në total përbëjnë një rritje prej më shumë se 30 për qind në krahasim me investimet e kryera gjatë vitit të kaluar. Në këto fonde nuk përfshihet investimi prej rreth 500 milion lekësh nga drejtoria e përgjithshme e rrugëve, që po kryhet për rikonstruksionin tërësor të aksit rrugor Krumë-Golaj-Qafë Prush që lidh këtë rreth me Kosovën.