Tatimet, 70.6 miliardë lekë në buxhet
Sefgjini: Të ardhurat në 6 muaj realizohen 103.6%
Shkarkohen nga interneti 34.920 deklarata, 5.800 deklarime elektronike
Të ardhurat nga administrua tatimore kanë siguruar një pjesë të mirë të fondit për miratimin e buxhetit shtesë për 6-mujorin e dytë të vitit 2008. Kjo është bërë e mundur nga tejkalimi që administrata tatimore arriti në mbledhjen e të ardhurave për 6-mujorin e parë 2008. Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, tha dje gjatë analizës 6-mujore të punës së kësaj administrate, se të ardhurat dhe besimi po rriten, si rezultat i një transformimi të shpejtë që po bëhet në veprimtarinë e administratës tatimore. "Këtë 6-mujor të ardhurat janë realizuar në shumën 70.6 miliardë lekë, nga 66.4 miliardë lekë të programuara ose në masën 106.3%", - u shpreh Sefgjini. Sipas kreut të tatimeve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë arkëtuar në buxhetin e shtetit rreth 12.8 miliardë lekë më shumë ose 122.1%.
"Një tregues i rëndësishëm është rimbursimi faktik i paguar tatimpaguesve, në shumën 854 milionë lekë ose rreth 309 milionë lekë më shumë se në 6 muajt e parë të vitit 2007", - theksoi Sefgjini. Sipas tij, me ndihmën e Projektit të Sfidës së Mijëvjeçarit (M.C.A.T.A/USAID) është rikonceptuar sistemi informatik dhe funksioni i shërbimit të tatimpaguesve, duke përmirësuar komunikimin dhe ofruar informacion nëpërmjet internetit apo formave të tjera të komunikimit. Në këtë gjashtëmujor është avancuar puna për reduktimin në maksimum të kontakteve të panevojshme tatimpagues-administratë tatimore, nëpërmjet ofrimit të shërbimit të deklarimit dhe pagesës on-line. Për sa i përket deklarimit dhe pagesës on-line, Sefgjini u shpreh se në 6 muaj janë shkarkuar nga interneti 34.920 deklarata, si dhe janë bërë 5.800 deklarime elektronike. Në këtë analizë ishin pjesëmarrës ministri i Financave, z. Ridvan Bode, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve z. Arben Sefgjini, nëndrejtorët e përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve z. Hysen Muceku dhe z. Adem Rrenga, kryetarët e degëve të tatimeve në rrethe, si dhe stafi drejtues i DPT-së. Sefgjini e cilësoi vitin 2008 si periudhën më të rëndësishme në historinë e sistemit tatimor, pasi po kryhen një seri reformash të mëdha me synim gjenerimin e shumës maksimale të të ardhurave nëpërmjet zbatimit të legjislacionit tatimor, me koston më të ulët. “Po rikonceptohen dhe fuqizohen rolet dhe funksionet bazë të sistemit tatimor si: vlerësimit dhe mbledhjes, kontrollit tatimor, investigimit, si dhe i shërbimit të tatimpaguesit, duke krijuar procedura standarde operative me synim që të reduktohet subjektivizmi i punonjësve tatimorë si dhe është arritur programi i përzgjedhjes për kontroll bazuar në analizën e riskut, i cili do të përmirësojë procesin e përzgjedhjes së subjekteve për kontroll tatimor”, - tha në fjalën e tij z. Sefgjini.
BOX
Bode: Ulja e informalitetit rrit 30% të ardhurat nga tatim-fitimi
Këtë vit janë zbatuar një sërë taksash të ulura, krahasuar me vitin e kaluar, por kjo s’ka penguar administratën tatimore të tejkalojë të ardhurat fiskale për 6-mujorin e parë 2008. Sipas ministrit Bode, një gjë e tillë ka ndodhur si rezultat i minimizimit të informalitetit në ekonominë vendase. Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se rezultatet e shënuara në këtë 6-mujor lidhen me zbatimin e uljes së taksave nga ana e qeverisë, që u mbështet nga opinioni publik. "Nga 1 janari i këtij viti, Shqipëria ka implementuar nivelin më të ulët të taksave, jo vetëm në rajon, por në të gjithë kontinentin evropian, përshirë edhe 28 vendet që janë në tranzicion ekonomik dhe që kanë filluar reformat njëkohësisht me vendin tonë", - tha Bode. Ministri Bode u shpreh se pavarësisht se u programua një rritje e të ardhurave prej 14% më shumë se një vit më parë, në kuadrin e uljes masive të taksave, u mundësua që në 6 muajt e parë të këtij viti të arkëtoheshin në buxhetin e shtetit 22% më shumë të ardhura. Referuar disa treguesve ekonomikë, ministri Bode theksoi se "megjithëse taksa e TVSH-së ka qëndruar në nivelin 20 për qind, sikurse ishte në vitin 2005, për këtë 6-mujor të parë të vitit nga kjo taksë janë siguruar 75% më shumë të ardhura krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2005". Sipas ministrit Bode, kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një miradministrim dhe një përpjekje të biznesit për t'u shkëputur nga taktikat e fshehjes së vlerës të informalitetit dhe evazionit fiskal. Referuar tatimit mbi fitimin, që është edhe kontributi i kompanive në buxhet, Bode tha se në 6 muajt e parë të këtij viti janë arkëtuar 30% më shumë të ardhura, gjë që do të thotë përpjekje e pandërprerë e administratës fiskale për të dominuar mbi informalitetin dhe korrupsionin dhe për të garantuar rregulla të njëjta dhe të barabarta për të gjithë aktorët ekonomikë në treg, gjë që përbën edhe prioritetin tonë. "Konstatoj se nuk kam akuza nga komuniteti i biznesit për individë apo qëndrime të caktuara diskriminuese apo favorizuese dhe kjo përbën elementin e dytë të arritjeve të kësaj administrate", - deklaroi ministri Bode.