Bode kundër Rulit, kompanitë minerale s’paguajnë taksa
Kompanitë që kanë marrë lejë minerale në shumë raste nuk paguajnë taksa dhe tatime, ashtu sikundër u nënshtrohen të gjitha bizneset e tjera. Në këtë përfundim ka dalë dje ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë analizës 6-mujore të administratës tatimore. Sipas tij, shumë kompani që marrin leje nga METE-ja për shfrytëzimin e burimeve minerale, në shumë raste nuk paguajnë detyrimet tatimore si dhe nuk kanë të siguruar punonjësit. Bode paralajmëroi dje ndërmarrjen e akteve ligjore dhe nënligjore, që synojnë vendosjen në të njëjtat rregulla të bizneseve në pagimin e taksave. "Rezultatet pozitive të arritura në 6-mujorin e parë të këtij viti nuk mund të fshehin pasaktësi të administratës tatimore, të cilat kanë qenë edhe objekt i analizës dhe që duhen eliminuar që situata të mos vijë duke u degraduar, por duke u përmirësuar", - deklaroi ministri Bode.
Sipas kreut të financave publike, analiza e zhvillimeve në disa degë dhe sektorë, me disa lloj taksash dhe disa kategori të industrive në Shqipëri, nuk mund të fshihet përmes rezultateve të përgjithshme. "Kemi një sërë çështjesh për të adresuar si duhet dhe nga ana tjetër po bëjmë një sërë rregullimesh procedurale të prirura nga objektivi kryesor, që është rregulla të njëjta dhe konkurrencë e drejtë për të gjithë biznesin", - shtoi Bode.
Ministri Bode sqaroi se rregullimet nuk synojnë nxjerrjen arbitrare të taksave, por vendosjen në të njëjtat rregulla të të gjitha bizneseve dhe pagimin proporcional të taksave, në varësi të xhiros së tyre ekonomike. "Nuk mund të mbyllim sytë kur shikojmë që një kompani e tregtimit të karburanteve paguan 10% të xhiros si taksa dhe kompania ngjitur me të paguan 0.1% të xhiros si taksa", - tha Bode. "Mjaftojnë të tillë tregues për të thelluar kontrollin te këto biznese që pretendojnë se janë në rregull, por që shifrat i nxjerrin tërësisht zbuluar dhe pikërisht barazimi në konkurrencë do të përbëjë të gjithë orientimin tonë për përmirësimin e akteve ligjore dhe nënligjore", - tha dje ministri i Financave.