E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Bashkëpunimi i forcave politike i domosdoshëm për integrimin



Ministria e Integrimit, Majlinda Bregu ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha forcave politike për integrimin e vendit në Bashkimin Ervopian. Gjatë një raportimi dje në Komisionin Parlamentar të Integrimit, Bregu ka vënë theksin në domosdoshëmrinë e ndryshimit të kuadrit ligjor shqiptar dhe përshtatja e tij me parametrat evropiane.
Bregu bëri të ditur se ministria që ajo drejton në bashkëpunim me projektin e SMEI-it ka bërë një analizë vetëvlerësuese në drejtim të kuadrit ligjor në fuqi që adreson çështjet e procesit të integrimit, të strukturave të integrimit në institucionet e linjës dhe në drejtim të formimit të mëtejshëm të stafit që punon në këto struktura. Referuar kuadrit ligjor për ngritjen e kapaciteteve administrative ministrja theksoi se vendimi i Këshillit të Ministrave “për krijimin e njësive të integrimit evropian në ministritë e linjës”, prej analizës së bërë, rezulton se ka nevojë të amendohet me qëllim përmirësimin e procesit të monitorimit, koordinimit e raportimit në drejtim të përmbushjes së detyrimeve të MSA-së, për të gjitha nivelet e administratës, si në atë qëndror ashtu dhe në nivelin lokal.
Sipas Bregut, ministria e Integrimit ka filluar procesin e rishikimit dhe amendimit të këtij vendimi, por edhe të pjesës tjetër të kuadrit ligjor që lidhet me procesin e integrimit. “Sfida jonë është të arrijmë mirë menaxhimin e këtyre stukturave në mënyrë që procesi të rrjedhë normalisht e pa probleme. Ky proces nuk fillon e nuk konsumohet vetëm brenda Ministrisë së Integrimit ndaj ka nevojë për koordinimin e të gjitha strukturave. Ashtu siç ka nevojë dhe për bashkëpunimin aktiv të të gjitha forcave në parlament, pasi integrimi s’është proçes që i takon vetëm qeverisë”, është shprehur Bregu. Po kështu ajo informoi anëtarët e Komisionit të Ligjeve në lidhje me krijimin e një strukture të veçantë të ngritur në ministrinë e Integrimit e cila do të merret me përkthimet, pasi, ky ka qenë një proces që ka sjellë vonesa në procesin e integrimit. Sipas Bregut konkursi për vendet vakante në drejtorinë e Përkthimit do të mbyllet më 18 gusht, ndërsa përkthimet e para do të fillojnë në nëntor. Gjatë këtij procesi administrata shqiptare do të bashkëpunojë me atë të Kosovës dhe Maqedonisë për të siguruar një set unik të “acquis communautaire” në shqip.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›