E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet ne qeveri, rrezikojne Ndoka, Bode, Pollo dhe Olldashi



Eljona Ballhysa

Ndryshimet në kabinetin qeveritarë, duket se do të jenë thelbësore dhe jo të pjesshme. Burime nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike bëjnë të ditur se kryeministri Berisha ka nisur konsultimet, jo vetëm me aleatët, por dhe me eksponentë të rëndësishëm të PD-së, për të realizuar riformatimin e radhës së kabinetit qeveritar. Sipas burimeve, ndryshimet do të kenë si synim ruatjen e formulës së përfaqësimit të aleatëve, por dhe dhënien e një imazhi të ri të qeverisë. Kabineti qeveritar pritet të ndryshojë drejtues në të paktën katër portofole prioritare. Sipas burimeve, përveç zëvendësimit të postit bosh të zëvendëskryeministrit, në sitën e shqyrtimeve është ministria e Shëndetësisë, ajo e Arsimit dhe ministria e Transporteve.
Deklaratat
Edhe në radhët e demokratëve kërkesat për ndryshime në qeveri shtohen dita-ditës. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, së fundmi, ka dalë me një emër konkret për largimin nga qeveria. Sipas Mustafajt, është e nevojshme që ministri i Financave, Ridvan Bode, të largohet nga qeveria. Ai thekson se kabineti qeveritar kërkon një riformatim thelbësor, pasi rrezikon zgjedhjet e vitit 2009. “Qeveria rrezikon zgjedhjet e ardhshme. Në sajë të disa ligjeve të hartuara nga ministri i financave ne kemi nofkën qeveria e gjobave. Janë ligje që janë hartuar keq, që na kanë dhënë një nofkë të tillë. Për mua përgjegjës kryesor është ministri i Financave dhe kryeministri që e ndjek ministrin e Financave me arrogancën që ai sillet ndaj biznesit”, është shprehur Mustafaj. Një kërkesë e tillë është bërë kohë më parë edhe nga politikani Sabri Godo. Ai ka vënë theksin në nivelin e ulët të jetesës dhe në rritjen e cmimeve nga dita në ditë, duke bërë përgjegjëse për këtë politikën e keqe ekonomike që ka ndjekur qeveria. Nga ana tjetër demokratët kërkojnë më tepër përfaqësim në postet prioritare, siç është ministria e arsimit, e cila menaxhon një gamë të gjerë vendesh punësimi. Kjo do t’i jepte mundësinë demokratëve që të afronte në vitin e fundit të qeverisjes militantët, të cilët janë të rëndësishëm në kohë zgjedhjesh. Megjithatë, pritet kryeministri Berisha që të vendosë firmën e fundit në kabinetin e ardhshëm, që sipas gjasave do të drejtohet prej tij.
Ndryshimet
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, i pyetur nga gazeta “Albania” për një largim të mundshëm të tij nga ky post, shprehet se deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar. Madje, Ndoka shprehet i habitur edhe për qarkullimin e një informacioni të tillë.
Megjithatë, burimet bëjnë të ditur se konflikti i brendshëm në partinë e Ndokës ka sjellë një ftohje të marrdhënieve të tij me kryeministrin Berisha. Fakti se Ndoka ka kërkuar shkarkimin e dy zëvendësministrave, Gurakuqi dhe Bushati, të cilit kanë qenë anëtarë të PDK-së dhe mosshkarkimi i tyre nga kryeministri, tregon qartë dhe marrdhëniet e ndera mes tyre. Mendohet se kreu i qeverisë do t’i ofrojë postin e zëvendëskryeministrit PDK-së, i cili është një post thuajse honorifik. Por PDK-ja rrezikon të mbetet edhe jashtë qeverisë. Nga ana tjetër, republikanët kanë shtuar kërkesat ndaj kreut të qeverisë. Gjatë ditës së djeshme këta të fundit kanë mbledhur kryesinë e partisë ku kanë diskutuar rreth pjesëmarrjes së tyre në kabinetin qeveritar. Burimet nga kjo mbledhje kanë bërë të ditur se do i dërgojnë kryeministrit një kërkesë për përfaqësimin e PR-së në një nga tre postet qeveritare, në ministrinë e Shëndetësisë, në ministrinë e Arsimit dhe në ministrinë e Bujqësisë. Sipas burimeve, pritet të jetë kryeministri ai që do të vendosë se cilin nga këta tre poste do t’i ofrojë PR-së.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›