Deputetët e Nanos krijojnë grup parlamentar në Kuvend
Mbështetësit e ish-kryeministrit Nano të përjashtuar nga Partia Socialiste kanë krijuar një grup të ri parlamentar të quajtur “Grupi Parlamentar i Qendrës”. Ky grup përbëhet nga deputetët Paulin Sterkaj, Durim Lamaj, Durim Hushi, të cilët janë ish socialistët të cilët u përjashtuan nga PS-ja për shkak se votuan pro zgjedhjes së Bamir Topit në postin e presidentit të vendit. Këtij janë shtuar dhe deputetët demokristianë Pash Ujka dhe Tom Doshi, si dhe deputeti demokrat, Flori Bajramaj dhe republikani Alfred Gegaj. Deputeti Paulin Sterkaj bëri publike bashkimin e deputetëve në emër të grupit më të ri parlamentar. Me krijimin e grupit të qendrës në kuvendin e Shqipërisë ndodhen tashmë 13 grupe parlamentare. Gjatë fjalës së tij Sterkaj u shpreh se synimi i këtij grupi do të jetë vetëm mbrojtja e interesave të qytetarëve. Sipas Sterkajt deputetët e këtij grupi nuk do të mbrojnë interesat e asnjë partie politike, apo grupimi të caktuar, por do të mbrojnë vetëm interesat e qytetarëve. Ky grupim sipas Sterkajt do të mbështesë në Kuvend iniciativat ligjore që i shërbejnë vetëm zhvillimit ekonomik të vendit dhe luftës kundër varfërisë. “Objektivi ynë do të jetë rritja e efekshmërisë së veprimeve brenda Kuvendit të Shqipërisë. Grupi nuk ka si qëllim të konkurrojë idetë dhe sugjerimet e grupeve të tjera parlamentare. Siç dihet grupet e tjera përfaqësojnë interesat e partive të veçanta politike. Ky grup s’ka si qëllim të japë një model të caktuar veprimi. Grupi do të bëjë kujdes që të mos i shërbejë asnjë partie. Grupi do të mbështesë iniciativat ligjore që i shërbejnë zhvillimit ekonomik të vendit, luftës kundër varfërisë si dhe integrimit të vendit në NATO dhe në BE. Ne do të kërkojmë të unifikojmë qëndrimet tona në çdo rast për të votuar në parlament në interes të publikut dhe të zhvillimit të vendit në tërësi”, është shprehur Stërkaj.
Ligji për sportin, debate në kuvend për zhdukjen e terreneve sportive
Ligji për sportin ka nxitur debate gjatë seancës së djeshme parlamentare në lidhje me zhdukjen e terreneve sportive. Deputetët e opozitës ngritën shqetësimin se në ligj është parashikuar që trualli në të cilin janë ngritur terrenet sportive t’i kthehet pronarëve. Por sipas deputetëve opozitarë në ligj nuk vendosen kushte që pronarët të mos i ndryshojnë destinacionin, duke e dhënë truallin për ndërtimin e pallateve apo objekteve të tjera. “Unë mendoj se provatizimet janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e tregut të sportit në Shqipëri. Në këtë ligj parashikohet që objketet sportive të provatizohen nga shoqëritë aksionere me kusht që të mos ndryshojnë destinacionin. Po këhstu në ligj thuhet që objekti të mund të privatizohet nga pronari i truallit, por në ligj nuk vendoset asnjë kusht që pronari i truallit të mos e japë për pallat terrenin sportiv”, është shprehur Braçe. Kryeministri Berisha u shpreh në përgjigje të shqetësimit të deputetëve të opozitës se qeveria nuk ka të drejtë të ndërhyjë tek pronarët. Sipas tij qeveria në kryeqytet janë vetë socialistët pasi Tirana drejtohet nga kryetari i Partisë Socialiste. “Se çfarë do të bëjnë pronarët të jeni të bindur se qeveri ka zero tagër në Tiranë. Qeveria e Tiranës jeni ju zotërinj. Së çfarë do të bëjnë pronarët në territorin e tyre e ka bashkia e Tiranës dhe pronari dhe jo qeveria. Dhe ju e dini mirë këtë”, është shprehur Berisha. Opozitarët gjithashtu ngritën si shqetësim dietat e ulta që jepen për sportistët dhe faktin se shumë prej tyre po largohen jashtë vendit për shkak të mungesëss së vëmendjes nga qeveria. Berisha premtoi se qeveria do të rishikojë masën dietës që përfitojnë sportistët me rezultate të larta. “Qeveria do të rrisë dietën në shkallën më të plotë që të jetë e nevojshme. Le të studiohet nga mjekë të sportit dhe të thonë se cila është dieta që duhet të trajtohen sportitët me rezultate të mira. Dhe ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë atë shumë për dietën më të plotë të mundshme”, është shprehur Berisha.
Batutat
Majko-Pangos
Nuk po flasim këtu nëse do shkojë apo jo Çiljeta në Kinë....
Xhufi-Pangos
Ne gjykojmë që ministri i sporteve është i vetmi ministër i sporteve në botë që bëhet iniciatorë që synon të ç’bëjë terrenet sportive. Ky është prova e fundit që kemi një ministër dhe një qeveri antisport, sepse kemi dhe një kryeministër antisport.
Berisha-Xhufit
Parafolësi bëri avokatinë e zemunit. Ndjenjat e mia sportdashëse, nderimi im me rezultatin e sportit nuk mund të vihet në diskutim nga një zëdhënës i klanit të zemunit në parlament.
Xhufi-Bujar Leskajt
Dhe në kohën e Enver Hoxhës futbolli dhe sporti ishte e vetmja fije që lidhte Shqipërinë e izoluar me botën. Ju po doni ta prisni këtë fije.
Pango-Xhufit
Habitem si e zure me gojë Enverin o njeri që e ke filluar karrierën duke bërë krushqi me Enverin. Do të kujtohesh me emrin historiani i leshit, e kam fjalën për leshin që bëhet triko.
22 Korrik 2008