Bregu: “Bashkimi për Mesdheun”, Shqipëria, interes për energjinë
Ministrja e Integrimit znj. Majlinda Bregu, mori pjesë në Ministerialin e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit për Mesdheun që u zhvillua në Marsejë në datat 3 dhe 4 nëntor. Qëllimi i këtij takimi është ai i konkretizimit të ambicies për një partneritet të konsoliduar mes vendeve të Mesdheut, iniciuar nga samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive që u zhvillua në Paris 13 korrikun e këtij viti. Ministeriali kishte si temë kryesore përcaktimin e projekteve të reja konkrete të partneritetit dhe vënien e tyre në zbatim, detajimet mbi qeverisjen e së re të iniciuar nga Bashkimi për Mesdheun dhe çuarjen përpara të dialogut politik për situatën në rajon. Në këtë konferencë, ministrat u njohën me programin e punës së “Bashkimit për Mesdheun " për vitin 2009. U vendos që gjatë vitit të ardhshëm, puna të fokusohet në projekte që lidhen me sigurinë detare, energjinë, mjedisin, pastrimin e Detit Mesdhe, turizmin etj. Ministrja e Integrimit, znj. Majlinda Bregu, në fjalën e saj në këtë samit, shprehu angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në të gjitha projektet e “Bashkimit për Mesdheun”. Znj. Bregu theksoi se interesi i Shqipërisë për financimin e projekteve të Bashkimit është shprehur në fushën e energjisë dhe mjedisit. Në takimet sektoriale që do të zhvillohen vitin e ardhshëm duhet të prezantohen projektet konkrete në gjashtë sektorët e përzgjedhur gjatë samitit të 13 korrikut. Ministrat duhet të raportojnë lidhur me situatën dhe iniciativat e para të ndërmarra për konkretizimin e këtyre projekteve.