Lëvizja Mjaft kundër Ramës për reformën zgjedhore
Lëvizja Mjaft pozicionet kundër PS-së, ideueses së përjashtimit të LSI-së nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në një njoftim për shtyp të kësaj lëvizjeje thuhet se lëvizja Mjaft prej kohësh tashmë, ka konstatuar jo pa shqetësim se mbledhjet e Komisionit kuvendor të Reformës Zgjedhore po zhvillohen me dyer të mbyllura dhe se përfaqësimi politik në këtë komision është kufizuar në forcat kryesore politike. “Ajo çka do të ishte më e mira për një vend të qytetëruar, është skenari në të cilin politika nuk ka pjesë në menaxhimin e zgjedhjeve, por menaxhimi kryhet nga entitete jopolitike. Si në çdo vend civil, mospërfshirja e politikës në këto komisione do të ishte garanci për një demokraci të zhvilluar dhe standarde zgjedhore të pranuara nga të gjithë. Këto të fundit gjenden sot vetëm në retorikën politike, por jo në praktikën elektorale”, - thuhet në këtë njoftim. Më tej vihet theksi se qëndrimi i lëvizjes Mjaft nuk është centralizimi, por decentralizimi i këtij pushteti dhe nëse koalicionet ose subjektet si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta, do të duan të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm si pjesë e dy partive të mëdha, duhet të kenë të drejtën që të përfaqësohen në institucionet e menaxhimit të zgjedhjeve. Njoftimi për shtyp nënvizon se lëvizja Mjaft edhe në të shkuarën ka qenë kurdoherë mbështetëse për një përfaqësim të plotë politik, për t’u dhënë mundësi të gjitha subjekteve të marrin pjesë në hartimin dhe menaxhimin e rregullores dhe infrastrukturës zgjedhore. Komisioni i Reformës Zgjedhore duhet të përfshijë jo thjesht dy subjektet e mëdha politike, por të funksionojë si një organizëm shumëpartiak.