Topi, Sejdiu: Rruga Durrës-Kukës, prioritet i dy qeverive
Ëndrra e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për ndërtimin e rrugës që lidh dy kombet shqiptare, pasardhësit të tij, Fatmir Sejdiu, dje i është dukur shumë afër realitetit. Bëhet fjalë për veprën gjigande, rrugën Durrës-Kukës-Morinë, punimet e së cilës i inspektuan dje dy presidentët, Fatmr Sejdiu dhe Bamir Topi. Ata udhëtuan paraditen e djeshme në drejtim të rrethit të Mirditës. Dy presidentët vëzhguan nga afër punimet e “projekt gjigand”, siç e cilësuan dy presidentët, madje lanë përshtypjet e tyre në librin e shënimeve. Nga një podium i improvizuar në urën numër 2 të kësaj autostrade, dy presidentët dhanë konferencën e tyre të përbashkët për shtyp. Presidenti shqiptar Bamir Topi përshëndeti firmën për ritmet e shpejta të punës me të cilën po ndërtohet ky aks dhe e cilësoi si një ndër sukseset më të mëdha të qeverisë shqiptare. Kreu i shtetit shqiptar theksoi se ndërtimi i kësaj autostrade jo vetëm do të lidhë Shqipërinë dhe Kosovën, por dhe më shumë. “Kjo rrugë nuk do të lidhë vetëm Kosovën me Shqipërinë, por gjithashtu do të ndikojë në zhvillimin e fshatrave dhe të qyteteve ku kalon ky aks rrugor”, -- theksoi Presidenti Topi. Nga ana e tij Presidenti kosovar e cilësoi realizimin e këtij projekti si “realizim i ëndrrës së ish-Presidentit kosovar, Ibrahim Rugova”. “Kjo rrugë do të afrojë më shumë Kosovën me Shqipërinë. Durrësi, Tirana, Shkodra dhe e gjithë Shqipëria do të jetë më afër Kosovës”, - theksoi më tej Presidenti Sejdiu. Nga firma “Bechtel” mësohet se aktualisht për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë janë angazhuar mbi 3700 punonjës të cilët po punojnë në 27 ura. 8 ura tashmë kanë përfunduar dhe po shfrytëzohen nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun në akset që lidhin komunat përreth. Janë ndërtuar bazamentet dhe këmbë mbajtëse për 15 ura të tjera. Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, inspektuan dje së bashku punimet në Urën e Repsit, pjesë e autostradës Durrës-Morinë. Duke shprehur kënaqësinë e vizitës në këtë aks të rëndësishëm të autostradës Durrës-Morinë, që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, Presidenti Topi theksoi mes të tjerave se "pa dyshim, është pjesë e asaj që e kemi konsideruar ëndërr shqiptare, të cilën e shikojmë çdo ditë që po realizohet dhe shumë shpejt do të kemi një rrugë të përfunduar, një rrugë që do të lidhë jo vetëm Shqipërinë me Kosovën, por një rrugë që do të japë mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi e komunikimi, në radhë të parë komunikimi njerëzor, komunikimi në botën e biznesit". Ndërsa Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e vlerësoi vizitën si “një ditë me emocione të veçanta”. Duke vlerësuar idenë për ndërtimin e autostradës Durrës-Morinë edhe në fazat më të hershme, si një "ëndërr e gjeneratave të shumta", Presidenti Sejdiu u shpreh se ajo "vjen dhe bëhet realitet në këtë kohë me një përkushtim tepër të përgjegjshëm të qeverisë shqiptare dhe besoj po në të njëjtën kohë, një përkushtim që do ta ketë edhe qeveria e Kosovës, që rruga Durrës-Prishtinë do të jetë e kryer për një kohë optimale dhe jashtëzakonisht të shkurtër".
Valentina Madani