Bregu: Fondet e KE vlerësim për reformat
Fondet e akorduara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë tregojnë vlerësimin që institucionet ndërkombëtare i bëjnë reformave të ndërmarra. Zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu, tha dje në një konferencë për shtyp se fondet synojnë të mbështesin vendin në procesin e Stabilizim-Asociimit. "Mbështetja financiare gjithnjë në rritje dhënë Shqipërisë në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para Aderimit është një vlerësim për reformat e ndërmarra nga qeveria, një tregues për suksesin e ecurisë së tyre, një ndihmë që synon të na mbështesë në procesin e Stabilizim-Asociimit dhe ta përgatisë vendin për hyrjen e ardhshme në Bashkimin Evropian. Duke shtuar këtu edhe fondin e përfituar në kuadër të IPA 2007 prej 61 milionë euro, në total Shqipëria për vitet 2007-2010 përfiton nga BE-ja 306.1 milionë euro, nga 330 milionë euro që ka përfituar për 6 vjet nga programet Cards 2000-2006", theksoi Bregu. Sipas zëdhënëses së qeverisë për projektet nën ndarjen e kriterit politik (zë 30-35% të buxhetit) IPA mbështet kryesisht projektet që synojnë forcimin e kapaciteteve të administratës publike, siç janë projektet për forcimin e kontrollit financiar, antikorrupsionin si dhe mbështetje për strukturat e integrimit evropian. Ndarja e kërkesave social-ekonomike (20-25% të buxhetit) do të mbështesë kryesisht projekte të cilat synojnë të kenë një impakt në zhvillimin rural dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore, veçanërisht në forcimin dhe fuqizimin e rrjetit të shkollave profesionale. "Aftësia për të përballuar sfidat e integrimit evropian do të zënë pjesën më të madhe të mbështetjes financiare (40-50%). Mbështetje në këtë drejtim do t'i jepet përveç zhvillimit dhe zbatimi i strategjive e politikave përafruese me legjislaturën e BE-së (acquis) në fushat e tregut të brendshëm, politikave sektoriale dhe në drejtësi, liri e siguri, edhe fushave të rëndësishme si përmirësimit të infrastrukturës rrugore, me theks të veçantë në rrugët rajonale, mbështetjes së transportit hekurudhor dhe infrastrukturës së ujërave", vijoi më tej Bregu.