E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, PS emëron 12 kujdestarët politikë në qarqe

 

Aristir Lumezi

Kryesia socialiste ka marrë detyrat politike për zgjedhjet e përgjithshme të 2009. 12 anëtarë kryesie, nga 16 që përbëjnë forumin më të lartë të socialistëve, kanë marrë detyrat e tyre për t'u kujdesur nga afër në çdo qark për fushatën elektorale të vitit të ardhshëm. Pas skemës së re organizative që Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral i ka paraqitur kryetarit socialist, ky i fundit ka kërkuar bërjen e një ndarjeje të anëtarëve të kryesisë për të nisur menjëherë nga puna sipas organizimit të ri në bazë që PS do të bëjë në zgjedhjet e ardhshme. Ajo që bie në sy në ndarjen e bërë, është mbajtja e zonave në të cilat kanë qenë të deleguar edhe më parë, por dhe gjatë zgjedhjeve të 2005 për disa anëtarë kryesie, siç është Blushi, Majko, Ruçi e Braçe, por dhe kalimi i disa të tjerëve në zona të reja. Namik Dokle, lë qarkun e Elbasanit, të cilin ai e ka mbuluar si anëtar kryesie për një kohë të gjatë dhe do të kujdeset për qarkun e Durrësit si dhe Ermelinda Meksi, e cila do të merret me qarkun e Fierit, ndërsa Arben Isaraj do të kujdeset për qarkun e Vlorës, Lindita Nikolli për qarkun e Lezhës, Mimi Kodheli për qarkun e Kukësit, Shpëtim Idrizi për qarkun e Tiranës, Valentina Leskaj për qarkun e Elbasanit dhe Mimoza Hafizi për qarkun e Shkodrës. Organizimi i ri i fushatës elektorale të socialistëve, për vetë rëndësinë që kanë zgjedhjet e ardhshme ka sjellë mbivendosje të njerëzve që do të monitorojnë nga afër të gjithë fushatën dhe zgjedhjet. Përveç sekretarit rajonal të qarkut, i cili do të merret me të gjithë punën organizative gjatë fushatës, do të ketë dhe një kujdestar politik, i cili do të monitorojë gjithë anën politike por do të ketë kontaktet më të afërta më kryesinë dhe kryetarin socialist, Edi Rama. Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral, i cili ka pak ditë që ka nisur nga puna, po ndërton skemat e reja organizative të PS-së që vijnë si rrjedhojë e ndryshimit të sistemit zgjedhor, nga ai njëemëror në atë proporcional rajonal, ku pesha kryesore e fushatave nuk bie më mbi individin që kandidon në një zonë, por mbi strukturat e partisë.

Sekretarët rajonalë

Sekretarët rajonalë socialistë u sanksionuan në statutin e fundit të PS-së si personat që do të merren me organizimin e partisë dhe fushatave elektorale në nivel qarku. Por edhe pse ka një sërë strukturash socialiste, duke filluar që nga kryetarët socialistë të komunave dhe bashkive, asambletë e tyre, këshillat e socialiste të rretheve e deri tek sekretari rajonal, Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral ka menduar të vendosë edhe kujdestarin politik nga kryesia për të përforcuar punën e strukturave të bazës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›