E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi letër Bushit: Vota në Senat,mbështetje për reformat tona

 

Një ditë pasi Senati amerikan ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kreu i shtetit, Bamir Topi, i cili ndodhet në Boston, i ka dërguar një letër falënderimi Presidentit të SHBA-së, Xhorxh Ë. Bush. Sipas kreut të shtetit, vota e Senatit amerikan është nxitje për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. "Jam shumë i lumtur që lajmin më të madh në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, ratifikimin nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e mora gjatë qëndrimit tim zyrtar në vendit tuaj. Shpreh bindjen time të plotë se kjo ngjarje e rëndësishme është vlerësim i qëndrimit dhe i dëshirës së popullit tim për më shumë liri, demokraci, siguri dhe zhvillim në vendin tim dhe në rajon, është mbështetje për reformat e thella që ne po kryejmë në Shqipëri, është nxitje për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit", thuhet në letrën e Topit. Ratifikimi i protokollit të anëtarësimit është përshëndetur dje edhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila gjatë një konference për shtyp theksoi se nuk ishte rastësi që SHBA-ja ishte ndër vendet e para që miratoi protokollin. "Kjo është një shprehje e besimit të Shteteve të Bashkuara ndaj progresit të Shqipërisë, ndaj hapave madhorë që kemi bërë. Me këtë akt domethënës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë këtë anëtarësim si një vlerë që i shtohet kësaj aleance dhe si një garanci për paqe e demokraci në gjithë rajonin e Ballkanit", theksoi Topalli. Ndërkohë, përshëndetja e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ardhur vetëm gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që Kryeministri Berisha dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, kishin bërë një gjë të tillë që një ditë më parë. "Është një moment historik brenda këtij procesi historik, që na tregon edhe një herë, jo vetëm marrëdhëniet e shkëlqyera të SHBA me Shqipërinë, si dhe konsideratën e posaçme të partnerit tonë të madh strategjik për popullin shqiptar. Por, edhe domosdoshmërinë për të qenë në lartësinë e kësaj konsiderate, duke iu përgjigjur të gjitha detyrimeve që burojnë nga ky angazhim i madh. Nga ana tjetër, jam krenar që në këtë proces, Partia Socialiste ka luajtur rolin e saj", theksoi Rama në fjalën e tij. Votimi i Senatit u përshëndet gjithashtu edhe nga Partia Republikane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›