E Shtunë, 31 Tetor 2026

Saimir Tahiri: Politika pa rregulla, si lojë pa arbitër

 

Aristir Lumezi

Fondacionin "Qemal Stafa" ka mbledhur dje në Tiranë të gjithë fondacionet e majta në Bashkimin Evropian dhe Ballkan. Përfaqësuesit e mbi 12 fondacioneve nga Bashkimi Evropian dhe 19 partive kanë marrë pjesë në këtë Konferencën Ndërkombëtare për të diskutuar mbi transparencën dhe rolin e partive politike. Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe zv/presidenti i Partisë Socialiste Evropiane në Parlamentin Evropian, Kristian Vigenin si dhe eurodeputeti Rob Van Der Water. Në fjalën e hapjes drejtori Ekzekutiv i Fondacionit 'Qemal Stafa', Saimir Tahiri, duke shprehur kënaqësinë e prezencës së politikanëve të njohur në politikën kombëtare dhe atë ndërkombëtare, tha se qëllimi i kësaj konference është diskutimi mbi probleme që lidhen direkt me organizimin dhe transparencën e partive politike. "Qëllimi i takimit të sotëm është të diskutojmë mbi pjesëmarrjen dhe transparencën, si dhe rolin e partive politike. Është pak të thuhet por politika pa pjesëmarrje do të ishte si futbolli pa tifozë, e njëkohësisht politika pa transparencë do të ishte si të luaje pa arbitër. As nuk mund të merret me mënd se çfarë parade e shëmtuar dhe qesharake do ishte një gjë e tillë", tha Tahiri. Sipas tij, "rregullat e lojës si dhe transparenca në vendimmarrje janë dy parakushte të rëndësishme, mungesa e të cilave do ta shndërronte politikën në një rreth vicioz ndërmjet disa individëve që ciklojnë njëri pas tjetrit veten dhe problemet që mbartin. Drejtori ekzekutiv i këtij fondacioni u shpreh se, puna e tij është e bazuar pikërisht në përpjekjet për forcimin e transparencës dhe rregullave të lojës. "Më duhet ta theksoj se fondacioni "Qemal Stafa" ka lindur pikërisht si mishërimi i këtyre parimeve, dhe kjo falë vetëdijes tonë të përbashkët mbi rëndësinë e tyre. Po kaq e vërtetë është dhe e kundërta. Mjafton të kthesh kokën nga ana tjetër e të shohësh sesi në maxhorancën aktuale gatuhen në errësirë të plotë, jo vetëm p/ligje dhe vendime, por edhe tragjedi njerëzore si ajo e Gërdecit", tha Tahiri. Duke përshëndetur këtë aktivitet, kreu socialist, Edi Rama përforcoi idenë se rritja e transparencës rrit dhe shkallën e përfaqësimit të partive politike. "Mund të shihet dhe të ndihet fare qartë kriza e një sistemi partiak të mbyllur dhe kriza e izolimit të partive nga shoqëria dhe nga njerëzit, e cila kërkon një imagjinatë të re për formën që partitë duhet të marrin në kushtet e një shoqërie që është skeptike në tërësi ndaj partive", vijoi Rama. Duke vlerësuar kontributin e fondacionit "Qemal Stafa" kreu socialist shtoi se, "shpresoj shumë që ashtu siç e kemi ndjerë ndihmën e F.Q.S falë ndihmës tuaj, ashtu edhe në të ardhmen e afërt dhe të largët kjo ndihmë do të na shërbejë për të kapërcyer fazat e zhvillimit dhe kundërshtitë që sjellin me vete të gjitha hapat përpara në funksion të krijimit të një Partie Socialiste, e cila duhet të jetë parti e qytetarëve dhe qytetareve, jo parti e strukturave, e drejtuesve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›