Bregu: “Franca konfirmon mbështetjen për integrimin e Shqipërisë”
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu takon homologun francez, Bernard Cazeneuve
Autoritete të larta qeveritare në Francë konfirmojnë mbështetjen e shtetit të tyre për përfshirjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një garanci e tillë i është dhënë së fundmi ministres shqiptare të integrimit, Majlinda Bregut, gjatë takim zyrtar që ajo zhvilloi në Paris. Gjatë këtyre takimeve, zyrtarët francezë konfirmuan njëzëri se Franca qëndron pranë Shqipërisë në avancimin e saj drejt anëtarësimit në familjen europiane. Sipas njoftimit zyrtar të dikasterit të Integrimit, ministrja Bregu informoi palën franceze se për qeverinë shqiptare votimi i tre ligjeve, të cilat kërkojnë 3 të pestat e votave, janë një hap i rëndësishëm. Sipas saj, mungesa e konsensusit për këto detyrime pengojnë përparimin vendit drejt statusit të vendit kandidat. Të dy palët ranë dakord se Shqipëria do të ishte në një pozicion më të favorshëm nëse këto ligje do të ishin votuar në kohë, e se forcat politike duhet të jenë bashkë në këtë proces të rëndësishëm për gjithë Shqipërinë. Në takimin e parë me homologun e saj, Bernard Cazeneuve, Ministrja Bregu informoi ministrin mbi një sërë arritjesh dhe reformash të ndërmarra vitet e fundit, duke theksuar faktin se këto nisma janë pjesë e strategjive të konsoliduar, disa vjeçare, të qeverisë. Qeveria shqiptare, theksoi Ministrja Bregu, nuk e sheh procesin si thjesht teknik por të merituar dhe individual, si një proces për të cilin ne kemi bërë shumë por mbetet ende shumë për t’u bërë. Nga ana e tij Cazeneuve theksoi se Franca e mbështet Shqipërinë në çdo hap të përafrimit të saj me BE-në. Ai nënvizoi rëndësinë e vazhdimësisë së dialogut politik për avancimin e mëtejshëm në procesin e integrimit, si një garanci për ndërmarrjen dhe zbatimin e reformave.
...