“Shqipëria në rrugën e saj të integrimit në BE, ndërtohet çdo ditë me bashkëpunime konkrete”

Presidenti Nishani përshëndet hapjen e Vitit të Ri Akademik 2012 – 2013 të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”
“Shqipëria është në rrugën e saj të integrimit në BE, e cila ndërtohet çdo ditë nëpërmjet arritjeve dhe bashkëpunimeve konkrete. Ne jemi tani më afër se kurrë më parë integrimit të vendit tonë në familjen evropiane. Përmbushja e kësaj aspirate kërkon reforma të thella në të gjithë sektorët për t’iu përafruar gjithnjë e më shumë standardeve të Bashkimit Evropian”.
Kështu u shpreh presidenti Nishani gjatë ceremonisë së çeljes së Vitit të Ri Akademik 2012 – 2013 në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Kreu i shtetit, Bujar Nishani në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se një shoqëri demokratike kërkon vlera demokratike, mënyra të të njohurit dhe veprimit, kompetenca analitike, dhe njëkohësisht aftësi angazhuese.
“Një kulturë demokratike përfshin shqetësimin për mirëqenien e qëndrueshme, qeniet njerëzore si dhe mjedisin në të cilin jetojmë. Prandaj dhe edukimi, kërkimi dhe inovacioni janë zemra e strategjisë evropiane 2020”, theksoi Nishani.
Më pas presidenti Nishani nënvizoi se sfida kryesore në vijim është cilësia. Aksesi dhe liberalizimi i arsimit të lartë shqiptar është tashmë një objektiv i përmbushur.
“Nismat private, të ndërmarra me seriozitet dhe të bazuara në profesionalizëm, përbëjnë një instrument shumë të rëndësishëm që pasuron dhe rrit cilësinë e tregut të dijes. Bashkëpunimi midis sektorit publik dhe privat, në të gjitha fushat dhe sektorët përbën një kusht të domosdoshëm për unifikimin e tregut mbarëshqiptar, si pjesë themelore e integrimit ndërshqiptar në Bashkimin Evropian dhe botën globale si edhe sfidë aktuale në mjedisin kaq të lartë kompetitiv të udhëhequr nga inovacioni dhe teknologjia. Por prioritet pa rezultate të prekshme janë vetëm fjalë. Institucioni juaj arsimor është një dëshmi e prekshme dhe shembull i zbatimit të këtyre shërbimeve, i cili garanton sigurimin e cilësisë gjatë gjithë procesit akademik dhe deri tek të diplomuarit”.
Ndër të tjera kreu i shtetit vlerësoi se shoqëria shqiptare kërkon institucione të standardeve evropiane.
“Unë besoj në arritjen e standardeve nga ana e këtyre institucioneve; besoj në bashkëpunimet dhe përgjegjësitë e përbashkëta. Në këtë mënyrë ne do të synojmë prosperitet të përbashkët: zgjidhje të përbashkëta për probleme të përbashkëta. Bashkëpunimi i Institucionit tuaj është dëshmi e një kontributi të përbashkët. Komuniteti Evropian ka në esencën e tij kontributin e përbashkët. Kontributet e përbashkëta nuk kanë madhësi, ato kontribuojnë së bashku duke optimizuar përpjekjet dhe fuqizuar bashkëpunimin”, vlerësoi ai.
Në fund të kësaj veprimtarie të rëndësishme të fushës akademike, pas leximit të dekretit nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Bardh Spahia, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i dorëzoi zotit Ruggero Valentini, “Medaljen e Mirënjohjes”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin prezentë Ipeshkvi i Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, dhe njëkohësisht Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, Ambasadori i Selisë së Shenjtë në Tiranë, Imzot Ramiro Moliner Inglés, Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, Ambasadori italian në vendin tonë, Massimo Gaiani, Presidenti i Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”, Ruggero Valentini, Rektori i Universitetit, Paolo Ruatti, pedagogë, personalitete të tjera të fushës akademike, si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës.