Bregu Imuniteti detyrim i BE Rama po bllokon statusin
Me ose pa votën e opozitës, e sigurt është që më 6 gusht, mazhoranca do të japë votën e saj pro draftit për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, edhe nëse kjo votë pa ato të socialistëve do të ishte e pamjaftueshme për miratimin e tij.
“Ne do të votojmë në datën 6 gusht heqjen e imunitetit, si një shprehje e vullnetit të kësaj maxhorance, për të pasur zyrtarët e lartë të këtij vendi, gjyqtarët e këtij vendi pa imunitet dhe të gjithë të barabartë para ligjit. E sigurtë është që heqja e imunitetit nuk është i vemti detyrim në luftën kundër korrupsionit, por ju siguroj se në një monitorim të ngushtë me Komisionin Evropian rezulton se të gjitha detyrimet, pjesë e 12 rekomandimeve dhe të gjitha detyrimet që janë brenda pikës së luftës kundër korrupsionit, i janë afruar përmbushjes së masës kritike”, vuri në dukje Bregu, gjatë fjalës së saj.
Heqja e imunitetit-deklaroi Ministrja e Integrimit, si një kusht për të marrë në vjeshtën e këtij viti, një përgjigje pozitive, mbi statusin e vendit kandidat, është i vetmi detyrim i paplotësuar brenda kalendarit të miratuar së bashku me Komisionin Paralamentar të Integrimit. Zonja Bregu solli në vëmendje se heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë është çështje urgjente për t’u zgjidhur, e kërkuar hapur për të qenë detyrim në Planin e Veprimit, brenda prioritetit 8, që është lufta kundër korrupsionit. Ndaj fillimisht zonja Bregu iu drejtua bashkëautorëve opozitarë të planit të veprimit në Komisionin Parlamentar që t’i qendrojnë fjalës së tyre të 30 prillit të këtij viti.
“Citoj zotin Bushati në komisionin e integrimit në 30. 4. 2012: “Ia vlen të theksohet një gjë që imunitetin e çdo deputeti të opozitës e keni praktikisht, sepse keni votat në Parlament”. Po në këtë mbledhje citoj zotin Balla: “Pozicioni ynë është i qartë edhe për çështjen e imunitetit. E kemi thënë shumë përpara jush që çështja e imunitetit nuk është çështje e vullnetit politik të opozitës, por është e mungesës së vullnetit politik të qeverisë suaj”, veçoi Bregu.
Zonja Bregu rikujtoi se kjo është hera e pestë që mazhoranca ndërmerr iniciativë për heqjen e imunitetit. Në mungesë të votave të opozitës ajo vitin e shkuar e la vullnetarisht atë, ne shembullin e Bundestagut Gjerman, por ishin deputët e opozitës që në seancën e 24 shkurtit 2011, thanë se rruga e vetme është ajo me ndryshimin e Kushtetutës, varianti për të cilin sot ka një draft me firmat, por ende jo me votat e të dy palëve.
Në këtë linjë, ministrja Bregu citoi nga procesverbali i seancës parlamentare të datës 24 shkurt 2011:
Zotin Fatmir Xhafa: “Ka vetëm një rrugë të drejtë dhe të ndershme për të kufizuar imunitetet e të gjithë funksionarëve të lartë që e gëzojnë këtë privilegj: përmes një amendimi kushtetues që përfundimisht do të kufizonte imunitetin jo gjasme siç thoni ju, por realisht dhe në mënyrë të pakthyeshme për deputetin, për gjyqtarin po e po, por para së gjithash për qeveritarët dhe të gjithë ata që lëvizin milionat në duart e tyre të veshura me dorashka profesionisti imunitare dhe të legalizuara me vendime kolegjiale”.
Zoti Erjon Braçe: “Ne jemi akoma më të vendosur të mos ia japim atë Kryeministrit të vendit, faktuar si një abuzues me pushtetin, faktuar si një kundërshtar i egër i opozitës, faktuar si një njeri, që prej armëve të Qeverisë së tij, janë vrarë njerëz të zakonshëm në këtë vend. T’i japim ne atij imunitetin? Jo. Ne ua japim institucioneve kushtetuese imunitetin, në bazë të Kushtetutës së këtij vendi. Drejt kësaj rruge duhet të shkojmë”.
Zoti Damian Gjiknuri: “Hajde, të ndryshojmë Kushtetutën për të qenë më mirë, pasi këtë e kanë thënë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë që në vitin 2008, sepse imuniteti nuk është një privilegj, nga i cili mund të hiqet dorë siç duam ne, por është një garanci kushtetuese dhe ka një procedurë kushtetuese me vendim”.
Në këtë konktekst deklaratash Ministrja e Integrimit ftoi opozitën që t’u bashkohen shumicës parlamentare në votën e saj të 6 majit
“I bëj thirrje vokacionit evropian të zotit Bushati, vokacionit politik të zotit Braç, vokacionit ligjor të zotir Xhafa e zonjës Hysi, vokacionit tradicional shqiptar të zotit Ruçi, që thotë se burri e mban fjalën, si dhe vokacionit të të gjithë deputetëve socialistë, që kanë ardhur në parlament për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë, ta mbajnë fjalën! 6 gushti është shansi për të çuar përpara axhendën kombëtare të integrimit! Braktisja e këtij shansi nga opozita është ribllokim i procesit të integrimit!”, apeloi ajo.
6 gushti theksoi Bregu nuk është vetëm një datë e detyrueshme nga Rregullorja e Parlamentit, por edhe nga kalendari i Komisionit Europian
“Raporti ka dalë dhe është dorëzuar, duhet të votohet në seancë plenare, jo dy javë para dorëzimit e jo më vonë se tre javë nga data pas dorëzimit të tij. Data 6 gusht është llogaritur në bazë të këtij kalendari. Data 6 gusht nuk është tekë e Partisë Demokratike, është respektim i rregullores së Parlamentit, të cilën e kemi votuar bashkë. Shtatori nuk është muaj e kohë e lirë. Vendimet në Komisionin Evropian nuk kanë lirshmërinë për t’u menduar e rimenduar sipas ndryshimit të humorit dhe tekave të Edi Ramës. Nëse Edi Rama kërkon ta mbajë përsëri peng këtë vend për një axhendë të ngushtë personale, jam e sigurtë se humbja e tij në 2013 do të jetë edhe më e madhe sesa ajo që ka përjetuar në 2011 e me rradhë”, u shpreh Bregu.