E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fyle Votimi per nje rishikim te sistemit te imunitetit nje hap thelbesor per te ardhmen e vendit

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle vlerëson punën e frytshme të qeverisë shqiptare për reformat. Në një letër drejtuar kryeministrit të vendit Sali Berisha, Fyle e vë theksin tek puna e bërë deri tani për sa i përket procesit të reformave për integrimin në Bashkimin Europian, për përpjekjet e bëra, dhe rezultatet e arritura, por gjithashtu edhe për sfidat që mbeten dhe çështjet e vonuara në kuadër të arritjes së një numri të caktuar rezultatesh në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit të vitit 2010. 

“Më lejoni fillimisht të vlerësoj qeverinë tuaj për punën e rëndësishme gjatë këtij viti dhe për arritjet e deritanishme nga forcat politike shqiptare në Parlament. Vërtet, me adaptimin më të fundit të kodit elektoral të rishikuar nëpërmjet një procesi shumë profesional dhe konsensual, ju jeni shumë pranë kompletimit të implementimit të marrëveshjes së muajit nëntor të vitit 2011. Ky është një zhvillim shumë i mirëpritur dhe premtues”. 

Më tej në letrën e tij drejtuar kreut të qeverisë shqiptare, komisioneri Fyle  ka cituar edhe  shumë rezultate të tjera të mira sic i ka cilësuar ai, sic janë  reformat  në administratën publike, në atë të gjyqësorit si dhe në atë të të drejtave të njeriut.  

“Për më shumë, do dëshiroja të përshëndesja përpjekjet serioze për sa i përket ndryshimeve të nevojshme për sistemin e imuniteteve, për shqyrtimin dhe përpunimin e një legjislature të re dhe domethënëse në fushën e administratës publike dhe në zhvillimin e një mënyre të mirë për të luftuar krimin e organizuar. Në të gjitha fushat, mazhoranca në pushtet dhe opozita përfshihen në debate serioze dhe konstruktive rreth reformave të nevojshme dhe objektivave. 
Mazhoranca në pushtet dhe opozita kanë rastin për të ndërtuar mbi këto zhvillime dhe dialogje politike konstruktive dhe gjithëpërfshirëse të mëtejshme si dhe të bashkëpunojnë për të kompletuar punën në vazhdim për sa i përket prioriteteve thelbësore të Opinionit dhe të arrijnë një numër të konsiderueshëm rezultatesh deri në muajin shtator”. 
  
Ju, si Kryeministër, vijon mesazhin e tij Stefan Fyle, jeni në pozicionin më të mirë për të inkurajuar këtë proces dhe për të promovuar një progres të mëtejshëm në perspektivën Europiane të Shqipërisë. 

“Në këtë kuadër, duke rënë dakord dhe duke votuar për një rishikim të sistemit të imuniteteve në linjë me standartet europiane do të ishte një hap thelbësor dhe shumë domethënës në drejtimin e duhur. Progrese që kanë të bëjnë me adaptimin e amendamenteve të propozuara për Ligjin për gjykatën e Lartë gjithashtu do të ishte një zhvillim i rëndësishëm”. 

Reformat në fushën e Ligjit dhe Rendit përbëjnë një faktor kyç për ecjen përpara në rrugën drejt integrimit për në Bashkimin Europian thekson komisioneri për zgjerimin në BE, Stefan Fyle.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›