E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Korrupsioni, jemi ende larg asaj që kërkon BE-ja



Nuk ka qenë një seancë e lehtë dëgjimore për ministren e Integrimit Majlinda Bregu dje në Komisionin Parlamentar të Integrimit. Ajo është përballur me shumë pyetje lidhur me reformat më të rëndësishme. Bregu foli dje për secilën çështje të rekomandimeve, duke thënë se për një pjesë të mirë të tyre ka pasur progres dhe një pjesë tjetër është ende duke u punuar. Përsa i përket çështjes së luftës kundër korrupsionit, gjatë fjalës që mbajti në para anëtarëve të komisionit, ministrja e Integrimi u shpreh se, “paralandimi dhe lufta kundër korrupsionit, pavarësisht se përmendet si një nga qëllimet kryesore, më së shumti është një qëllim, i cili kërkon ende shumë kohë për t’u përmbushur”. Bregu theksoi se, ka filluar finalizimi i strategjisë për parandalimin, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen transparente, ku përcaktohen masat kryesore dhe reformat që duhet të ndërmerren, si dhe masat për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e korrupsionit. Por, ajo theksoi se, duhet ende kohë për të monitoruar rezultatet konkrete. Gjatë mbledhjes së komisionit, kryetari Ilir Meta i është drejtuar ministres së Integrimit edhe për çështjen e disbursimit të fondeve nga Komisioni Europian, që ka qënë gjithmonë një problem për Shqipërinë. Në përgjigje të pyetjes së drejtuar, ministrja Majlinda Bregu e pohoi këtë problem, duke marrë si shembull faktin që nuk janë disbursuar ende fondet e programit Cards 2005 të Bashkimit Europian, për shkak të borxheve që kishte ministria shqiptare e Transporteve.

16 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›