E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Ligji për imunitetin brenda këtij sesioni

 Zonja Bregu ishte sot në komisionin parlamentar të Integrimit, ku ka raportuar lidhur me ecurinë e planit të veprimit në përmbushjen e 12 prioriteteve të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Për të plotësuar prioritetin e 8-të të KE-së duhet të votohet ligji 'për imunitetin'. Lufta ndaj korrupsionit ka nevojë që të votohet 'kufizimi i imunitetit'. Mazhoranca ka vullnetin për të votuar kufizimin e imunitetit të deputetëve, me cilëndo alternativë që opozita do të zgjedhë si të preferueshme", theksoi Bregu, duke shtuar se është i rëndësishëm vullneti politik në këtë drejtim.

 Një ligj tjetër pas Gjykatës Administrative është edhe ai për Shërbimin Civil, i cili kërkon 84 vota në Parlament. Ndaj, shefja e Integrimit kërkoi vullnet politik edhe në këtë drejtim. "Pas gjykatës administrative duhet të kalojë dhe ligji 'për shërbimin civil', i cili kërkon 3/5 në parlament. Ftoj opozitën që ta votojë këtë ligj në mënyrë që kjo të jetë një tjetër provë e kaluar", tha ministrja.

Ajo shprehu gatishmërinë e mazhorancës për të votuar alternativën e opozitës për heqjen e imunitetit brenda këtij sesioni. Sipas saj, lista e prioriteteve të KE-së nuk mbyllet brenda këtij viti, por për vitin 2012 është i nevojshëm vullneti politik i palëve. "Duhet të përmbushim masat deri në shtator, që në tetor të marrim statusin e BE-së", theksoi ajo. Ligji për Shërbimin Civil pritet të paraqitet deri në qershor, ashtu sikurse parashikon Ministria e Integrimit dhe më pas miratimi në Parlament, që kërkon votat edhe të opozitës. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-30 15:41
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›