“Konsensus politik për të garantuar marrjen e statusit kandidat”

Presidenti Nishani pret në një takim Kreun e Delegacionit të BE-së, Ambasadorin Ettore Sequi
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Ettore Sequi. Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime në lidhje me plotësimin e rekomandimeve të mbetura të Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria dhe përpjekjet institucionale për mbështetjen e procesit politik që do të garantonte konsensusin e nevojshëm për arritjen e këtij objektivi. Ambasadori Sequi u shpreh se Komisioni Evropian inkurajon politikën shqiptare që të plotësojë kriteret e kërkuara në mënyrë që të krijohet hapësira e nevojshme për të punuar me vendet anëtare të Bashkimit Evropian në mbështetjen e kandidaturës së Shqipërisë. Gjithashtu, zoti Sequi garantoi angazhimin e tij institucional dhe të Zyrës së Komisionit Evropian në Tiranë për vazhdimin e përpjekjeve në mbështetje të Shqipërisë. Nga ana e tij, Presidenti Nishani u shpreh se ndjehet shumë i shqetësuar për situatën e krijuar në vend, e cila mund të bëhet shkak që Shqipëria të mos fitojë statusin e vendit kandidat, por shprehu bindjen se klasa politike do të dijë të ngrihet mbi interesat partiake. Kreu i Shtetit siguroi se do të vazhdojë nxitjen e bashkëpunimit politik nëpërmjet garantimit të pavarësisë së institucioneve kushtetuese dhe mbështetjes së dialogut politik mes palëve.