Premtimet për taksat, mazhoranca i përgjigjet Ramës në lagjen “Kombinat” të kryeqytetit

“Biznesi është promotori ekonomik i vendit – do marrë mbështetjen e duhur”
Qeveria i përgjigjet kreut të opozitës, Edi Rama, për rritjen e taksave për biznesin e vogël. Në një takim me tregtarë të vegjël të njësisë numër 6 në Tiranë, zv.ministri i Financave Alfred Rrushaj dhe ai i Brendshëm Ferdinand Poni e cilësuan si demagogji politikën e Ramës për heqjen e taksave për biznesin e vogël. Por cili është propozimi i kryesocialistit Rama për taksat dhe çfarë ka patur mundësi të bëjë në kohën që drejtonte Bashkinë e Tiranës. Sipas Alfred Rushaj ka qenë qeveria ajo që e ka kufizuar ish kryebashkiakun Rama që të rriste edhe më shumë taksat vendore ndërkohë që sot bën thirrje për heqje taksash. Ndërkohë ata premtuan politika mbështetëse, ku synimi i kësaj mazhorance është dialogu me biznesin. Ndërsa më pas dy funksionarët e qeverisë kanë biseduar me tregtarët e vegjël, ku premtuan se ndihma për ta nga qeveria nuk do të mungojë. Biznesi është promotori ekonomik i vendit dhe ai duhet të marrë të gjithë mbështetjen e duhur nga pushteti qëndror dhe ai lokal. Përfaqësuesit e mazhorancës u njohën nga afër me problemet e tregtarëve ku taksat nuk përbënin problem për ta por më shumë konkurrenca e pandershme dhe vendosja e kasave për marrjen e kuponit tatimor.