Kakavijë; Alarm fals për bombë në doganën greke
Si të mos mjaftonin radhët e gjata dhe pritjet e pafundme të emigrantëve, do duhej edhe një bllokim i doganës së Kakavijës për dy orë, pas një telefonate se ishte vendosur bombë në doganën greke. Sipas burimeve policore, ka qenë ora 09:00 e mëngjesit të djeshëm kur një telefonatë anonime e mbërritur në doganën greke të pikës kufitare të Kakavijës njoftoi për vendosjen e një eksplozivi në këto ambiente. Menjëherë policia greke vendosi të ndërpresë punën dhe lajmëroi emigrantët (jo të shumtë në numër, të cilët prisnin për të hyrë në tokën shqiptare) të largoheshin rreth 100 metra larg doganës. Pas një kontrolli të imtësishëm, për më pak se 2 orë, rezultoi se alarmi ishte i rremë. Në 10:40 minuta puna në doganën e Kakavijës filloi normalisht. Policia Kufitare greke vuri në dispozicion 4 sportele për të normalizuar lëvizjen e emigrantëve, makinat e të cilëve krijuan një radhë prej gjysmë kilometri. Policia po punon për identifikimin e vendit nga është bërë telefonata dhe telefonuesit i cili vuri në panik të gjithë punonjësit e pikës së doganës së Kakavijës dhe emigrantët shqiptarë. Telefonatat anonime për vendosje bombe janë kthyer në një fenomen kohët e fundit në kryeqytet, pse jo edhe në disa qytete të ndryshme në vend. Rasti më i fundit ishte ai i një shakaje adoleshentësh që alarmuan për gati 20 minuta aeroportin më të madh në vend, “Nënë Tereza”, në Rinas. Edhe në këtë rast, për rreth 20 minuta u ndërprenë nisjet e fluturimeve të avionëve që kishin oraret, si dhe u evakuuan gjithë personat që prisnin për të fluturuar me linja të ndryshme. Pasi u bë një kontroll i imtësishëm, rezultoi se alarmi ishte i rremë, ashtu sikundër rezultoi edhe gjatë kontrollit të djeshëm në pikën doganore greke në Kakavijë.