“Deja vu”... e PD-së
Historia e ikje-ardhjeve të drejtuesve kryesorë të Partisë Demokratike në formacionin që është drejtuar prej themelimit prej kardiologut Sali Berisha shënon në njëfarë mënyre pengesat që mund të provonte një front politik në rrugën e vet drejt konsolidimit në një parti politike me sfond elektoral dhe me një frymëzim ideologjik të djathtë.
Që në krye të herës, me marrjen e pushtetit, mënyra e menaxhimit të tij dhe marrëdhëniet e elitës partiake me elitën qeverisëse sollën përplasjen në frontin politik me siglën PD. Në këto kohë, dy vjet pas themelimit ikën nga partia disa nga figurat më të rëndësishme të krijimit të saj, drejtues të protestave të ‘90-s dhe bashkëpunëtorët e parë të dr. Berishës. Neritan Ceka, Arben Imami, Gramoz Pashko, Teodor Keko, Preç Zogaj, Perikli Teta etj. dolën nga dyert e PD-së për të krijuar Partinë Aleanca Demokratike, e cila u dha dhe emrin “aleancistë”.
Kjo përçarje u prit jo mirë në opinionin publik, megjithatë motivet e saj vijuan të vepronin edhe në të ardhmen kur për të njëjtat motive, por gjithashtu të përfshira me motivet e qeverisjes, transparencës, apo edhe hetimit, sollën largimin nga qeveria e më vonë nga partia edhe të ministrit Genc Ruli.
Viti 1994, edhe pse ishte një vit i mirë për PD-në në pushtet, shënoi një humbje të fortë elektorale për të, humbje që u pagua me largimin e kryetarit të partisë në atë kohë, një prej politikanëve që shumë mendonin se premtonte për të ardhmen, Eduart Selami. Dukej se me dështimin e referendumit për Kushtetutën u mbyll dhe karriera politike e Selamit. Edhe pse akoma i ri, ai nuk preferoi që të priste momentin për të kompensuar politikisht këtë humbje, por zgjodhi largimin nga politika dhe largimin nga Shqipëria gjithashtu. Po duket se dashuria për politikën dhe reminishencat e karrierës që pati në PD vazhdojnë t’ia ngacmojnë vetëdijen politike duke e rikthyer herë pas here me komentet e tij për zhvillimet në Tiranë që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jeton, por pa e çuar asnjë herë drejt vendimit final për t’u rikthyer.
Largimet e ‘97-s shënojnë një fazë të re në rrugën e shndërrimit të PD-së nga një front politik në një parti politike me frymëzim popullor e të djathtë. Përmasa ideologjike e këtij fronti po vihej seriozisht në rrezik dhe shkalla e rezistencës për ta mbrojtur këtë identitet solli ‘97 dhe nxjerrjen jashtë partisë të Dashamir Shehit dhe përfaqësuesve të tjerë të linjës politike të butë (por edhe të konfrontimit civil për të mos humbur pushtetin, në një këndvështrim tjetër).
Ky plazmim ideologjik vijoi fort deri në formësimin e një koalicioni forcash politike që thuajse ishin unifikuar përballë asaj që drejtues të PD-së e cilësonin si arbitraritetin e së majtës, dhe pas vitit 2002, kur edhe u sanksionua një llogore politike që s’lejoi përzgjedhjen e një presidenti të majtë, partia ideologjike PD nisi të merrej fort edhe me përmasën e saj elektorale.
Pas këtij zhvillimi cilësor shënohet edhe kurba përbashkuese, e cila zë fill me Preç Zogajn fillimisht, më vonë me Arben Imamin, të tjerë intelektualë të përfshirë me KOP-in në 2005-ën, apelet për bashkim të Pollos në 2008-ën dhe pritshmëritë për bashkëpunim të Neritan Cekës për zgjedhjet e vitit 2009. Ky bashkim që shërbeu më shumë si një taktikë elektorale vazhdon të sjellë pranë PD-së të ikurit për arsye ideologjike, që sot preferojnë më fort sigurinë e vazhdimit të karrierave të tyre politike, por shpeshherë nën justifikimin ideologjik.
“Parti, e ëmbla parti”
Lodhja në opozitë rreth 8 vjet dhe “harresa” e mërive të vjetra filloi të sillte një erë të re në selinë blu, ku zërat për bashkim me të ikurit e dikurshëm nuk ishin më vetëm pjesë e thashethemeve tek kafe “Journal” mes militantëve besnikë, por një realitet që po piqej ngadalë. Rikthimi i aleancistëve Arben Imami dhe Preç Zogaj ishte hapi i parë i madh i ribashkimit të PD-së. Arben Imami pasi përjetoi përvojën e të qenit ministër në një qeveri socialiste, u zhgënjye dhe filloi të hidhte sytë drejt partisë nga e cila kishte ikur që në vitin ‘92, dhe nga e cila kishte marrë jo pak akuza për nxitje të protestave të vitit 1997. Gjithë këtë rrugëtim të tij drejt partisë dhe marrja e pozicionin si krahu i djathtë i Berishës në qeveri, Imami e ka rrëfyer në një intervistë për “Standard” ku për herë të parë ka prekur dhe çështjen e ‘97-ës. Ai nuk ngurroi të sqaronte militantët për këtë duke i cilësuar akuzat thjesht si trillime të keqdashësve në PD. Madje Imami e konsolidoi rikthimin e tij duke synuar dhe për postin e sekretarit të përgjithshëm të saj.
Ashtu si pas një rikthimi të gjatë në shtëpi, nisën të vinin drejt partisë së tyre të parë dhe shumë të tjerë, lëvizje kjo që u cilësua si momenti më i rëndësishëm i përgatitjeve për zgjedhjet e 2005-ës, një mundësi e dytë për të rimarrë pushtetin. Genc Ruli, pasi ikjes nga PD-ja kishte preferuar të mos angazhohej në politikë, por merrej me veprimtari më afër profesionit të tij duke drejtuar një institut studimesh. Ardhja e tij në PD pak para korrikut do të ishte një tjetër forcim i bazës së vjetër të partisë, e cila në atë kohë po synonte që me dy platforma, atë të ribashkimit dhe afrimit të të rinjve të futej në fushatën elektorale. E vërteta tregoi që të dyja platformat dolën të suksesshme duke i dhënë fitoren e zgjedhjeve. E suksesshme ishte kjo lëvizje dhe për Rulin, i cili u bë deputet në një zonë që njihej si e majtë, e më pas ministër.
Në jetën politike dhe elektorale të Partisë Demokratike krijimi i Komitetit të Orientimit të Politikave ka shënuar një moment me rëndësi jo të vogël, pikë së pari duke i dhënë kësaj partie imazhin e një partie me dyer të hapura. Ardhja e disa figurave nga shoqëria civile dhe të rinj të tjerë të paangazhuar më parë në PD dhe në politikë, u përdor mirë mediatikisht për të reklamuar pikërisht këtë hapje të partisë. Duket se këtë qëllim e arriti duke marrë vota në elektorat, por më pas fryma e re që pritej nga anëtarët e KOP-it nuk është se ndryshoi ndonjë gjë në politikat e PD-së, përveçse u dha një karrierë të shkëlqyer politike disave prej tyre. Nuk dihet nëse PD-ja do të tentojë sërish riformatimin dhe rigjallërimin e KOP-it para zgjedhjeve të 2009-ës.
Por jo çdo rikthim në shtëpi dhe çdo mik i ri pritet me krahë hapur. Edhe të rikthyerit, edhe të rinjtë e KOP-it, nuk hasën një frymë tërësisht pozitive në parti, një gjë kjo e justifikuar nga këndvështrimi i atyre që kishin hequr në kurriz 8 vite opozite të vështirë. Nuk ishte aspak e lehtë për drejtuesit e partisë që kishin preferuar që në vitet e saj më të errëta dhe të vështira të saj të qëndronin në zyrat e selisë blu dhe të bindnin bazën e tyre dhe elektoratin e PD-së të qëndronin në krah të tyre. Por megjithëse xhelozitë herë shfaqeshin hapur e herë me anë të kulisave në parti, të gjitha palët duket se gjetën vetveten duke treguar në njëfarë mënyre se ajo seli e vogël e dalë boje pranë ”Ushtarit të panjohur” kishte më shumë vend brenda vetes sesa mund të mendohej. Dhe bashkë me fytyrën e re politike që mori kjo parti, krijimi i së cilës përmbushi një ëndërr të shqiptarëve që donin përmbysjen e diktaturës njëpartiake komuniste, edhe selia e vogël u bojatis në të bardhë dhe blu duke i hapur rrugë ndryshimit.
Bashkimi vazhdon. Pushteti në vend që ta përçante PD-në siç ndodhi pak vite më parë me PS-në po bën të kundërtën, po i sjell në gjenezë dhe një degë tjetër të këputur në vitin 1999. Genc Pollo i ka dhënë fund karrierës së tij politike si një reformator dhe si një kundërshtar i Berishës duke deklaruar hapur mundësinë e rikthimit në këtë parti, nga e cila iku i zemëruar në ‘99-ën së bashku me një grup mbështetësish, ndër ta dhe ish-kryetari Tritan Shehu. Tashmë ka mbetur vetëm çështje procedurash shkrirja e PDR-së me PD-në dhe ikja e reformatorëve nga zyrat e tyre që janë zbrazur prej kohësh pranë ish-ekspozitës “Shqipëria sot” për tek selia blu. Nuk dihet akoma se sa hapësirë do të rigjejë Pollo në këtë parti, ku dikur garoi me Berishën, por duket se ka marrë premtimin për të qenë protagonist edhe në të ardhmen.
Në këtë moment ajo që përbën më shumë kuriozitet dhe ngjall më shumë interes është rikthimi i mundshëm i Neritan Cekës, i vetmi i larguar që ka mbajtur gjallë deri vonë frymën e tij kritike nga Berishës kryesisht, dhe ndaj PD-së. Megjithëse PAD-ja vazhdon të quhet parti opozitare, lëvizjet e fundit të tij tregojnë se ai është më afër PD-së se sa PS-së dhe së shpejti i duhet të zgjedhë pasi në zgjedhjet e 2009-ës, me një sistem të ri elektoral, një parti e vogël si e Cekës nuk do t’ia dilte dot mbanë vetëm. Sinjalet e rikthimit janë dhënë të qarta nga të dyja palët. Përveç rolit vendimtar të tij në zgjedhjet e Presidentit të Republikës, ku nxori jashtë gare Fatos Nanon duke i dhënë gjasat e fitores Bamir Topit, Ceka ka dhënë dhe mesazhe të tjera politike që i shërbejnë rrugës së rikthimit. Të presim çdo të ndodhë me aleancistin, ndërkohë që shumë figura të tjera të larguara ose u janë kthyer profesioneve të tyre, si Aleksandër Meksi, ose presin ndonjë mundësi për të gjetur dhe ata rrugën tek shtëpia e dikurshme.
Historiku
1992 ikën Arben Imami, Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Teodor Keko, Arben Demeti, Preç Zogaj e Perikli Teta, një pjesë prej tyre krijuan Partinë Aleanca Demokratike.
1993-1997 - Ikja e Genc Rulit dhe Dashamir Shehit
1994- Dorëhiqet kryetari i partisë, Edurat Selami, pas dështimit të referendumit për Kushtetutën
1999- Ikën Genc Pollo, Tritan Shehu, Ferdinand Xhaferi, Nard Ndoka, Jak Ndokaj, Leonard Demi, Ilir Berzani, Sajmir Curri etj.
2006- Ky vit shënoi ikjen e fundit dhe të veçantë për nga situata kur ndodhi, atë të Spartak Ngjelës, i cili u përjashtua nga partia pas një debati të fortë me Berishën
Rikthimet
Në 2005 kthehen Arben Imami, Preç Zogaj, Genc Ruli, Ferdinand Xhaferi dhe Leonard Demi.
2008 - pritet bashkimi i PDR-së me PD-në duke risjellë në parti Genc Pollon, Tritan Shehun e të tjerë reformatorë. Rikthimi i tyre nisi me Ferdinand Xhaferin
Në pritje të rikthimit, Neritan Ceka