Bregu: “Opozita të pranojë ofertat e PD-së për hetimin e zgjedhjeve”
Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, i bëri thirrje opozitës që të pranojë ofertat e PD-së dhe të qeverisë si për hetimin e zgjedhjeve, ashtu dhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Këtë thirrje Bregu e bëri gjatë një konference për shtyp ku përshëndeti deklaratën e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Xhejms Stajnberg, i cili rikonfimron qëndrimin e SHBA-ve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe institucioneve legjitime shqiptare. “Qeveria shqiptare përshëndet deklaratën e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, Stajnberg, i cili riafirmon qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit dhe institucioneve legjitime shqiptare. Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Stajnberg, vlerëson përpjekjet e kryetarëve të grupeve parlamentare në Parlamentin Europian, Zhosef Daul dhe Martin Shultz, për zgjidhjen e problemit të qëndrimit të opozitës shqiptare ndaj Parlamentit dhe zgjedhjeve të 28 qershorit”, - është shprehur Bregu, ndërsa i garantoi SHBA-të se qeveria shqiptare është e angazhuar të bëjë transparencën e zgjedhjeve në përputhje me shtetin ligjor dhe në respekt ndaj Kushtetutës dhe institucioneve demokratike të vendit. “Rikonfirmojmë publikisht edhe njëherë se maxhoranca legjitime e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit i ka ofruar opozitës për zgjidhjen e qëndrimit të saj ndaj Parlamentit jo vetëm pjesëmarrje në komisionin hetimor parlamentar, por edhe shumicën me votë në këtë komision, si dhe kryesimin e tij, për të mundësuar hetimin e çdo çështjeje që lidhet me zgjedhjet, përveç çështjeve për të cilat ka vendim gjykate. Këto të fundit opozita ka mundësinë t’i ndjekë dhe t’í zgjidhë në rrugë gjyqësore. Rikomfirmojmë se qeveria është e hapur që opozitës t’i krijohen të gjitha kushtet që të paraqesë në Prokurori për hetim të mëtejshëm e të plotë çdo akt apo dokument që ajo disponon mbi pretendimet e saj. Rikonfirmojmë se i kemi njohur opozitës të drejtën ekskluzive për të përkthyer në amendamente të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet e ardhshme, pasi opozita të jetë konsultuar edhe me Komisionin e Venecias. Garantojmë se këto amendamente, të hartuara nga opozita, do të votohen plotësisht në Parlament”, - është shprehur Bregu në emër të qeverisë.
Topi takon kreun e PDU-së, Idrizi: “Çështja çame, në vëmendjen e institucioneve shqiptare”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shprehur dje mbështetjen e tij të plotë për çështjen çame gjatë një takimi me drejtuesit kryesorë të Partisë Drejtësi dhe Unitet, të cilët u pritën në Presidencë. Gjatë një bisede që zgjati rreth një orë, kryetari i PDU-së Shpëtim Idrizi dhe deputeti Dashamir Tahiri i parashtruan Presidentit të Republikës qëndrimet kryesore të PDU-së për çështjet e saj programatike, si çështja kombëtare, përfshi çështjen çame, integrimin e vendit dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Kryetari i PDU-së, Idrizi, e falënderoi presidentin Topi për pozicionet e drejta dhe kombëtare që ka mbajtur në vazhdimësi, qoftë në axhendën e tij diplomatike, qoftë brenda vendit, siç ka qenë ngritja e çështjes së pasurive të shqiptarëve, dhe në veçanti të komunitetit çam në vizitën e tij në Greqi, si dhe për mbështetjen për ngritjen e një varreze çame apo të ndonjë obelisku çam atje. Idrizi i kërkoi presidentit që të vazhdojë ta ngrejë çështjen çame në të gjitha rastet e mundshme, në përputhje me frymën e dokumenteve ndërkombëtare dhe traditën e diplomacisë sonë në vitet e para të vendosjes së pluralizmit, apo të paraardhësve të tij. Presidenti i Republikës shprehu mbështetjen e tij dhe të institucionit që drejton ndaj çështjes çame dhe siguroi se të gjitha instancat shtetërore duhet ta mbështesin fuqishëm këtë çështje. “Kjo është një çështje mjaft komplekse, e cila, megjithëse ende nuk ka gjetur një zgjidhje përfundimtare, është në vëmendjen e të gjitha institucioneve të vendit”, – tha presidenti Topi. Sipas tij, çështja çame duhet të trajtohet me kujdesin, seriozitetin dhe angazhimin e plotë të vendit tonë, për të drejtat legjitime të popullsisë çame përsa u përket pronave, nënshtetësisë, dëmshpërblimit moral dhe të drejtës së rikthimit të çamëve në trojet e tyre amtare. Delegacioni i PDU-së i kërkoi presidentit të dekorojë disa figura të shquara çame, apo që kanë dhënë kontributin e tyre për këtë komunitet, si patriotin e shquar Hasan Tahsimi, Fatos Mero Rrapaj, Selim Islami, Bilal Xhaferri, Teme Sejko dhe Ilmi Seiti, propozim ndaj të cilit PDU-ja gjeti mirëkuptimin e plotë të presidentit Topi.
12 Qershor 2010