E Diel, 1 Nëntor 2026

Statistikat, Ministria e Turizmit regjistron si turistë edhe udhëtarët brenda vendit



Ministria e Turizmit është përpjekur që të shtojë artificialisht numrin e turistëve që kanë hyrë në pjesën e parë të këtij viti në vend. Kjo për shkak se statistikat e tre muajve të parë kanë qenë fare të ulëta. Për këtë në raportet e MTKRS-së, si turistë janë shënuar edhe udhëtarët që udhëtojnë gjatë ditëve të vitit nga njëri qytet në tjetrin për punë të ndryshme. Por pavarësisht nga këto, numri i turistëve përsëri rezulton më i ulët se e njëjta periudhë e një viti më parë. Hyrjet valutore nga shërbimet e udhëtimit në periudhën janar-mars të këtij viti u ulën me 50 milionë euro ose me 23.8 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009, bëhet e ditur nga statistikat e Llogarisë Korrente të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Hyrjet nga shërbimet e udhëtimit në vend qenë 161 milionë euro për periudhën janar-mars të këtij viti nga 212 milionë euro në periudhën janar-mars 2009. Në të njëjtën kohë, shqiptarët duket se shpenzuan 177 milionë euro në udhëtime jashtë vendit ose 45 milionë euro më pak se një vit më parë. Në sektorin e shërbimeve të udhëtimeve, vendi ynë pësoi një deficit prej 15 milionë eurosh. Deficiti është i zakonshëm për këtë periudhë të vitit. Rënia e madhe në të ardhura duket se lidhet veçanërisht me udhëtimet zyrtare, të cilat vitin e kaluar ishin shumë më të mëdha se këtë vit, për shkak të zyrtarëve apo gazetarëve të huaj që erdhën në vendin tonë për monitorimin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare. Sipas të dhënave të BSH, Shqipëria pati 1.3 miliardë euro të ardhura dhe 1.13 miliardë euro shpenzime nga shërbimet e udhëtimit vitin e kaluar. Të ardhurat u rritën me 10 për qind kundrejt vitit 2008, ndërsa shpenzimet u rritën me 6.7 për qind.

12 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›