E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, Berisha, thirrje politikës: Ndihmoni qytetarët për të aplikuar



Kryeministri Sali Berisha garanton shqiptarët se askush nuk do të mund të prishë qetësinë e tyre për të votuar të barabartë më 28 qershor dhe pas kësaj ata shumë shpejt do të lëvizin të lirë në mbarë botën. Më tepër se një thirrje miqësore, jo vetëm ndaj demokratëve, por edhe socialistëve, Berisha ftoi të gjithë spektrin politik që të ndihmojë shqiptarët për të aplikuar për kartat e identitetit me qëllim që të votojnë më 28 qershor. Z. Berisha shpalli mbrëmë në “Opinion” prioritetet kryesore të qeverisë përgjatë mandatit të dytë 2009-2013, duke u përqendruar tek modeli i ri i zhvillimit të Shqipërisë. I shoqëruar nga 4 ministrat kryesorë të tij dhe ekspertë të PD-së, përballë një paneli të gjerë gazetarësh, pedagogësh dhe studentësh, Berisha bëri bilancin e 4 viteve që po lëmë pas dhe zbardhi pikat kryesore të projektit të ri qeverisës të shqiptarëve. Berisha përmendi faktin se 2005-2009 është bilanci që anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat për në BE dhe mbi bazën e tij është ndërtuar dhe projekti i ri qeverisës. “Këto që kemi arritur, janë bazë për t’u paraqitur shqiptarëve një projekt tjetër edhe më ambicioz në të gjithë historinë e shqiptarëve”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri vuri në dukje se prioriteti kryesor i qeverisë së re të PD-së që do të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, është lëvizja e lirë e shqiptarëve dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kryeministri siguroi se brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës, do të mundësojë liberalizimin e vizave, pasi po ecën me ritme të shpejta drejt këtij procesi, konfirmuar edhe nga Brukseli. “Vitin e parë të mandatit të dytë do të lëvizin pa viza. Unë po bëj reforma me standardet më të shkëlqyera evropiane dhe kushtet e vëna për heqjen e vizave do të përmbushen me seriozitetin më të madh”, - theksoi z. Berisha. Duke sjellë në vëmendjen e opinionit luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Kryeministri bëri të ditura arsyet e vonesave të procesit të kartave të identitetit, si kusht për realizimin e një tjetër kushti kryesor, atë të zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Berisha tregoi situatën kaotike që gjeti qeverisja e djathtë në momentin që mori pushtetin, duke përmendur se Shqipëria nuk kishte një regjistër të saktë të gjendjes civile dhe dixhitalizimi ishte mënyra më e saktë për të përmirësuar këtë gjendje të rëndë. “Për sa i përket prodhimit të kartave të identitetit, standardi i sigurisë së tyre kërkonte me çdo kusht regjistrin elektronik të gjendjes civile. 14 mijë regjistra u kaluan në formë dixhitale. Të dhënat janë mbi bazën elektronike”, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri akuzoi kryetarin e PS-së së po tenton të bllokojë procesin për faktin se ndihet i tmerruar nga frika e humbjes, ndaj kërkon të rikthehet tek certifikatat. Me sigurinë se shqiptarët do të votojnë të lirë si çdo qytetar tjetër i Evropës, kreu i qeverisë vlerësoi punën e deritanishme të kompanisë “Sagem” e cila po merret me prodhimin e kartave dhe ftoi të gjitha partitë politike që të ndihmojnë shqiptarët për të votuar më 28 qershor. “U kemi bërë thirrje shqiptarëve që të pajisen me kartat e identitetit. 1 milion e 200 mijë kanë aplikuar. Opozita nuk e ka hallin tek kartat, por tek certifikatat, maniaku i certifikatave e sheh që po i vjen fundi dhe mosha dixhitale është mosha e së vërtetës. Ai që nuk del t’u paraqitet shqiptarëve programin, që është kallosur me karrigen, nuk merr përsipër të udhëheqë listën e kandidatëve të tij. Ai u thotë shqiptarëve si Enveri i dytë, edhe Kryeministër, edhe kryetar bashkie”, - deklaroi Kryeministri. Berisha i kujtoi Edi Ramës se pavarësisht përpjekjeve për të sabotuar zgjedhjet në Shqipëri, tashmë sfidat kryesore janë kryer dhe nuk do të mundet të prishë qetësinë e madhe të qytetarëve për të votuar më 28 qershor. Berisha foli dhe për projektet e tjera të mandatit të dytë, si rritja e pagave dhe pensioneve, punësimi, strehimi, sigurimi i energjisë dhe ujit 24 orë, reformat ekonomike, shtimi i investimeve, ndërtimi i shkollave dhe spitaleve etj. me premtimin se ndryshimi do të vazhdojë dhe se e ardhmja e Shqiptarëve është në Evropë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›