E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cara: Në Durrës edhe të majtët do të votojnë PD-në



Edhe të majtët durrsakë do të votojnë për PD-në. Ata janë zhgënjyer nga qeverisja lokale e PS-së në qytetin e tyre dhe kundërshtojnë të ashtuquajturën politika e re të Edi Ramës. Në një intervistë për “standard”, kryetari i degës së PD-së, njëherazi edhe kandidat për deputet i kësaj partie, Igli Cara, ka renditur disa prej arsyeve logjike dhe arritjeve të padiskutueshme dhe të merituara të qeverisjes “Berisha” në mandatin e parë, duke deklaruar se “edhe mandati i dytë, ai i fitores së sigurt të 28 qershorit, do të jetë po aq i suksesshëm, pasi shqiptarët, madje edhe të majtët më fanatikë, e kanë kuptuar se vetëm PD-ja dhe Berisha i realizojnë ëndërrta e tyre shekullore”.

Z. Cara, fushata elektorale sapo ka nisur. Cilat mendoni se janë sipas jush arsyet dhe motivet e fitores së PD-së edhe për një mandat të dytë qeverisës?

Partia Demokratike vjen në këtë fushatë elektorale më e motivuar se kurrë për një fitore spektakolare. Vjen pas një mandati 4-vjeçar ku ka realizuar dhe shumë shpesh tejkaluar premtimet e veta; vjen me një bilanc shumë pozitiv arritjesh si në politiken e brendshme edhe në atë të jashtme. Partia Demokratike vjen para qytetarëve shqiptarë me 4.2 miliardë dollarë më shumë në arkën e shtetit se paraardhësit tanë duke konfirmuar me garanci absolute qeverisjen me duar të pastra dhe luftën kundër korrupsionit; vjen me qindra banda të eliminuara duke siguruar qetësi dhe paqe në jetën e qytetarëve dhe biznesit shqiptar, vjen me mijëra kilometra rrugë dhe mijëra shkolla të ndërtuara në gjithë Shqipërinë; vjen me korridorin e kombit që u hap dje në një ceremoni emocionuese dhe shënoi fundin e ndarjes njëshekullore të shqiptareve; vjen me 80.000 mijë vende pune të hapura dhe 200.000 shqiptarë që kanë dalë nga niveli i varfërisë, vjen me kabinete informatike në çdo shkollë të Shqipërisë, vjen me paga të dyfishuara për arsimtarët, mjekët dhe infermierët, me pensione në fshat të dyfishuara dhe në qytet me rritjen më të madhe që kanë pasur ndonjëherë; vjen me energji elektrike 24 orë në çdo cep të vendit qysh prej dy vjet e gjysme. Partia Demokratike, qeveria e saj dhe Kryeministri Berisha vijnë para shqiptarëve me fitore historike në integrimin e Shqipërisë në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Në një kohë rekord Shqipëria mori ftesën për në NATO dhe e ratifikoi atë në më pak se një vit, duke u bërë shtet anëtar i aleancës më të madhe e më të rëndësishme të të gjitha kohërave. Në një kohë rekord nënshkroi dhe ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe dorëzoi kërkesën për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian, duke i afruar shqiptarët më shumë se kurrë me ëndrrën e tyre historike për të qenë pjesë e Evropës. Sot shqiptarët janë vetëm një hap larg lëvizjes së lirë pa viza në gjithë Evropën dhe kjo pa dyshim falë reformave dhe besimit të partnerëve evropianë tek kjo qeveri. Me një bilanc të tillë çdo qeveri do të kishte moralin për të kërkuar një mandat të dytë. E megjithatë, Partia Demokratike do të kërkojë votën e shqiptarëve dhe durrsakëve për ato që do të bëjë në mandatin e ardhshëm dhe që janë pjesë e programit elektoral dhe qeverisës.

Ju jeni kryetari i ri i PD-së në Durrës, njëherësh edhe kandidat për deputet. Cili është vlerësimi juaj për emrat garues të caktuar nga kryesia qendrore e PDSH-së?

Kandidaturat e paraqitura në Durrës janë kandidatura përfaqësuese, kandidatura të spikatura në një ndërthurje mes eksperiencës dhe risive, mes gjinive dhe formimit. Në këtë listë janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet, duke filluar nga Durrësi, duke vazhduar me Shijakun ku kundërshtarët tanë politikë nuk kanë asnjë përfaqësues nga kjo zonë, duke vazhduar me Krujën, ku në dallim nga kundërshtarët tanë, që kanë sjellë një krutane importi, ne kemi një krutan që jeton prej lindjes në këtë qytet. Lista jonë është listë fituese.

Cila është e veçanta e kësaj fushate elektorale, krahasuar me atë të 2005-s?

Besoj se nga pikëpamja organizative kjo fushatë do të jetë si të tjerat, me dallimin që i jep forcës politike një rëndësi të dorës së parë, pa anashkaluar kontributin e padiskutueshëm të kandidatëve për deputetë. Kjo është një fushatë ku do të ballafaqohen dy modele: modeli fitues i Partisë Demokratike me arritjet e saj dhe modeli humbës i listës laramane “Rama”, në të cilën Rama vetë nuk është.

Si e shikoni kundërshtarin tuaj politik në këtë fushatë?

Kundërshtarët tanë politikë në këtë fushatë i shoh shumë të çorientuar, si një tufë pa bari, që nuk gjen dot vathën, pasi bariu ka filluar punë part-time në një dyqan materialesh ndërtimi. I shoh të hutuar dhe të humbur, pa program konkret dhe pa ide, pa alternativë dhe me sherre mes tyre. Veç kësaj, kundërshtarët tanë në Durrës i shoh edhe më keq se skuadra e tyre kombëtare, pasi veç mungesës së alternativës, kanë edhe një qeverisje lokale që për dy vjet rresht ka punuar çdo ditë vetëm në interesin personal dhe asnjë ditë në interesin e qytetarëve të Durrësit, një qeverisje lokale që mund të quhet pa mëdyshje si bashkia e betonit.

Cilat janë premtimet e PD-së për qytetarët e Durrësit?

Qyteti i Durrësit për vetë rëndësinë që ka si qendra kryesore e transportit, si porti më i madh i vendit, si kontribuuesi më i madh në buxhetin e shtetit pas Tiranës, ka qenë dhe do të mbetet në vëmendjen e qeverisë shqiptare. Gjatë 4 viteve të kësaj qeverisjeje, Durrësi ka përfituar miliona euro investime në infrastrukturë, ku do të përmendja rrugën e Kënetës me 4 korsi, me vlerë rreth 5 milionë dollarë, rrugën që ka filluar dhe që lidh autostradën me parkun industrial me një vlerë më shumë se 10 milionë dollarë, rrugën e varrezave deri në Porto Romano, zgjerimin e rrugës Plepa-Rrogozhinë, shtrimin e autostradës Durrës-Tiranë, rrugën Spitallë-Shenavlash. Një park industrial dhe energjitik i përmasave rajonale që do të punësojë me mijëra qytetarë të rinj e të vjetër të Durrësit tashmë është një realitet i prekshëm, investime të mëdha me portin aktual të Durrësit i cili me korridorin Durrës-Kukës merr një rëndësi ballkanike, janë të planifikuara pas miratimit të Master-planit në Këshillin e Ministrave javën që shkoi, ndërtimi i një porti të ri në Porto Romano, zgjidhja përfundimtare e problemit të ujit në qytetin e Durrësit dhe zonat përreth, përfundimi i kanalizimeve të ujërave të zeza në Shkozet dhe në vijën bregdetare, ndërtimi i by-pass-it të Shkozetit me një vlerë mbi 10 milionë euro, përfundimi i depuratorit të ujërave të zeza etj., janë disa nga investimet e parashikuara për 4 vitet që vijnë. Ne jemi të besueshëm, ne kemi dhënë prova se atë që premtojmë, e bëjmë dhe pikërisht kjo është arma jonë më e fortë në këtë fushatë, pikërisht për këtë ne do të fitojmë, në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›