E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Pyetësori i KE-së, katër mijë faqe përgjigje

Deklarata Ministrja e Integrimit shprehet optimiste edhe për vendimin mbi liberalizimin e vizave

Përgjigjet e palës shqiptare për pyetjet e Komisionit Europian kapin volumin e 4000 mijë faqeve. Ky ishte informacioni që dha ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë një interviste televizive në Televizionin Publik Shqiptar. Sipas Bregut, pala shqiptare në kthimin e përgjigjeve të pyetësorit ka ndjekur logjikën e dhënies së thelbit të përgjigjes, pa zgjatime të tepërta. Ministrja e Integrimit deklaroi se këtë fillim muaji përgjigjet e pyetësorit janë gati, duke qenë se gjatë procesit është pasur parasysh edhe cilësia e tyre. “Kemi kërkuar cilësi dhe respektim të kufijve kohorë. Mbi këto kritere në fillim të muajit prill ne kemi përfunduar procesin dhe kemi treguar se administrata shqiptare e ka përballuar denjësisht”, deklaroi Bregu. Por ajo theksoi gjithashtu se nuk kishte dijeni se në çfarë date ky pyetësor do të dorëzohej zyrtarisht në Brukselin zyrtar dhe se kjo datë po negociohej nga palët. Në lidhje me shqyrtimin e përgjigjeve, Bregu informoi se pritet që opinioni i Këshillit Europian të formohet për rreth 9 muaj. “Nisur nga eksperiencat e vendeve të tjera, zakonisht përgatitja e mendimit nga momenti i dorëzimit merr 6,9 deri në 12 muaj kohë. Unë bëj një llogaritje që nga prilli, nuk konsideroj të plotë 3 muajt e verës, por deri në fund të vitit 2010 ne kemi plotësuar deri në 8 muaj”, deklaroi Bregu. Sipas saj, data e kthimit të një përgjigjeje mund të jetë edhe fillimi i 2011-ës, sikurse mund të jetë edhe nëntori. Në lidhje me përgjigjen e KE-së, sipas Bregut, mund të ndodh që këshilli të marrë vendimmarrje për dy çështje ose vetëm për një. “Jepet statusi i vendit kandidat ose jo dhe jepet data për hapjen e negociatave ose jo. Mund të ndodhin të dyja: të jepet statusi dhe data e hapjes së negociatave, ose njëra prej tyre. Kjo ka ndodhur me Maqedoninë, ku është akorduar statusi dhe s’u caktua data për hapjen e negociatave”, sqaroi ministrja Bregu. Po kështu, Bregu theksoi se ajo ishte optimiste që shqiptarët do të arrinin të lëviznin pa viza në Europë brenda këtij vit. Sipas saj, Shqipëria ka përmbushur të gjitha kriteret teknike për sa i përket këtij procesi. “Kemi përfunduar atë çka i takonte pjesës shqiptare, pra detyrimeve të vendosura para nesh në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, kemi pasur një sërë detyrimesh për të plotësuar në katër blloqe, i kemi plotësuar në maksimum”, theksoi ministrja. Nga ana tjetër, në lidhje me procesin e dorëzimit të pyetësorit, Kryeministri Sali Berisha ka theksuar se dorëzimi i dokumentit pritet të bëhet në mesin e këtij muaji, nëpërmjet një ceremonie zyrtare që do të mbahet në Bruksel. Në këtë ceremoni pritet të marrë pjesë edhe komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Stefan Fyle. Po kështu Berisha theksoi se një vëmendje e madhe tashmë po i kushtohej procesit të kontrollit të përkthimit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›