Një vit në NATO. Topi kërkon përgjegjshmëri, Berisha vlerëson zgjedhjet
Krerët më të lartë të shtetit dhanë dje mesazhet e tyre me rastin e njëvjetorit të anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO. Në konferencën jubilare të zhvilluar me këtë rast, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut u bë në vetvete një nxitje shumë e madhe për qeverinë, për të kryer reforma të gjithanshme dhe procese demokratike. Në këtë kuadër, si një përgjegjësi për besimin që vendet anëtare të NATO-s i dhanë Shqipërisë, Kryeministri trajtoi edhe procesin e shkuar zgjedhor. Berisha theksoi se këto zgjedhje treguan që Shqipëria ishte një vend i denjë për të qenë pjesë e aleancës. “Në vitin e parë të anëtarësimit në NATO, Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të mira në historinë e saj. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht themelor i funksionimit të lirisë dhe institucioneve të një vendi demokratik”, nënvijëzoi Kryeministri në fjalën e tij në ceremoni. Po kështu ai theksoi se po në këtë kohë vendi ynë u votëbesua nga qeveritë e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian për statusin e vendit kandidatit për në BE. “Vendimi i datës 16 nëntor në raport me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian është pothuajse siamez me vendimin e 2 prillit të vitit 2008, me ftesën për t’u bërë anëtarë të NATO-s”, krahasoi Kryeministri. Ai theksoi se qeveria e këtij vendi do të punojnë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian me të njëjtin seriozitet dhe vendosmëri që punoi për anëtarësimin e saj në NATO. Po kështu, Berisha theksoi se ky vit ka qenë shumë i rëndësishëm edhe për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të cilat po shndërrohen në një ushtri profesioniste. Në fjalën e tij gjatë konferencës, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, theksoi se preformanca e suksesshme individuale e Shqipërisë ka qenë faktori kryesor për të arritur objektivat tona. “FA kanë shënuar arritje të spikatura për t’u transformuar në një forcë profesioniste të trajnuar, të pajisur mirë dhe të ndërveprueshme me NATO-n”, deklaroi Imami. Me anë të një deklarate, njëvjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në aleancë e përshëndeti edhe kreu i shtetit, Bamir Topi. Sipas Presidentit, ky anëtarësim e bën vendin edhe më shumë të përgjegjshëm ndaj sfidave të brendshme. Po kështu, në deklaratën e tij Topi vlerësoi faktin se tashmë Forcat tona të Armatosura, së bashku me trupat e tjerë të Aleancës, po përballojnë me kurajë dhe profesionalizëm një nga sfidat më të mëdha të saj për të vendosur paqen, sigurinë dhe rendin demokratik në Afganistan, për të cilat ne jemi shumë krenarë. Nga ana tjetër, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, preferoi ta festonte me të rinjtë njëvjetorin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO. Kështu, Topalli ftoi në sallën plenare të Kuvendit të rinj, duke shtuar se kjo festë, më shumë se të gjithëve, i përket rinisë shqiptare. Kryetarja e Kuvendit gjatë fjalës së saj i siguroi të rinjtë se 2010-ta do të jetë viti i heqjes së vizave dhe se ëndrra e kahershme e shqiptarëve po bëhet realitet nga kjo mazhorancë, sikurse në 2009 realizoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Sipas Topallit, mazhoranca e tejkaloi veten e saj për sa i përket anëtarësimit në aleancë dhe siguroi se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me të gjitha proceset e viteve të ardhshme.
#