Festa për NATO-n zbeh kujtimin e 2 Prillit
Festa e njëvjetorit të NATO-s e ka lënë në hije ceremoninë e përvitshme përkujtimore për katër dëshmorët e demokracisë, të vrarë në Shkodër më 2 prill të vitit 1991. Në qytetin e Shkodrës u zhvilluan dje disa aktivitete në përkujtim të kësaj ngjarjeje dhe në nderim të dëshmorëve Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu. Por ajo që ra në sy gjatë këtyre aktiviteteve ishte mungesa e drejtuesve të lartë të Partisë Demokratike nga Tirana. Të pranishëm në Shkodër ishin dje deputetët e PD-së së qarkut, drejtuesit e pushtetit vendor dhe familjarë të dëshmorëve të demokracisë. Aktivitetet përkujtimore kanë nisur me vënien e kurorave me lule dhe me homazhe te memoriali kushtuar katër të rënëve gjatë protestës së 2 prillit 1991. E gjithë ceremonia është shoqëruar dhe nga banda frymore e qytetit. Pas kësaj, deputetët e Partisë Demokratike zhvilluan vizita te familjet e të rënëve të fundit të komunizmit e më pas ceremonia u zhvendos në varreza. Në mbyllje të aktiviteteve është zhvilluar një program kulturor në teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës. Ky ishte përvjetori i 19-të i asaj që u quajt “masakra e 2 prillit” dhe që u shndërrua në një datë simbolike për lëvizjen antikomuniste. Por, nga viti në vit ceremonitë përkujtimore për këtë ngjarje janë zbehur, duke ardhur deri te dita e djeshme, kur krerët e lartë të PD-së preferuan të festonin në Tiranë përvjetorin e parë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Masakra e 2 prillit u përkujtua dje edhe në Tiranë, në formën e një proteste të zhvilluar nga një organizatë jofitimprurëse. Qendra mediatike, “Kurajo”, zhvilloi dje një protestë me pjesëmarrjen e dhjetëra të rinjve, me sloganin: “Bllok kundër bllokmenëve”.