KE, inspektim kutive në KQZ
Aristir Lumezi
Zyrtari i Komisionit Evropian për Shqipërinë, gjermani Bert Kuby, është që dje në Tiranë me një mision të përcaktuar qartë. Ai do të mbledhë fakte dhe krijojë një opinion rreth situatës politike në vend, e cila ka lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit. Komsioneri Kuby do të ketë sot një takim me kryetarin e KQZ, Arben Ristani, ndërsa do të zhvillojë dhe një inspektim në ambientet ku ruhen kutitë e votimit dhe të materialeve zgjedhore. Kutitë ruhen në pikën e rezervës së shtetit në Lundër pranë Tiranës, ndërsa rreth tyre ka një debat disamujor nga të dyja krahët e politikës shqiptare. Socialistët kanë kërkuar që prej daljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve hapjen e kutive të votimit, ndërsa maxhoranca e ka konsideruar këtë kërkesë në kundërshtim me kushtetutën. Kuby është komisioneri për çështjet politike, koordinatori i Progres-Raportit për Shqipërinë, anëtar i Komitetit Parlamentar Shqipëri-BE dhe komisioneri që merret me çështjet e zbatimit të legjislacionit. Si komisioner që merret vetëm me çështjet shqiptare, ai do të marrë gjatë qëndrimit të tij në Tiranë një informacion të plotë se si është zbatuar Kodi Zgjedhor gjatë zgjedhjeve të fundit, si është vlerësuar nga monitoruesit ndërkombëtarë, OSBE-ODIHR dhe pretendimet e palëve për të. Mësohet se komisionari i KE-së do të zhvillojë sot takime edhe me përfaqësues zgjedhorë të PS-së dhe PD-së rreth debatit politik që lidhet direkt me cilësinë e zbatimit të Kodit zgjedhor. Pritet që ai të bëjë vërejtjet e tij lidhur me vonesën e Parlamentit për të nisur rishikimin e Kodit Zgjedhor sipas rekomandimeve të faktorit ndërkombëtar, kur zgjedhjet për pushtetin vendor zhvillohen në më pak se një vit dhe një reformë e tillë kërkon një periudhë të gjatë diskutimi dhe miratimi të Kodit të ri Zgjedhor. Në përfundim të këtij inspektimi, komisioneri do të janë opinionin e tij në komisionin e zgjerimit për mënyrën se si është zbatuar legjislacioni zgjedhor në Shqipëri në zgjedhjet e fundit dhe përpjekjet që po bëhen për ta përmirësuar atë.