Bregu: Shqiptarët, pa viza në Europë në vitin 2010
Kandidatja e PD-së për Qarkun e Tiranës, Majlinda Bregu, zhvilloi dje një tur takimesh me qytetarë të njësisë nr.9 në kryeqytet, me të cilët bisedoi rreth problemeve të zonës dhe mundësive të zgjidhjes së këtyre problemeve në mandatin e ardhshëm të PD-së. Bregu përshkoi më këmbë rrugën nga zyra elektorale pranë Stacionit të Trenit, deri në thellësi të rrugës "Don Bosko", në afërsi të shinave të trenit. Ministrja Bregu i siguroi banorët se realizimi i reformave të nisura nga qeveria "Berisha" do të bëjë që brenda 2010-ës shqiptarët të lëvizin pa viza në Europë. "Brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, shqiptarët do të lëvizin pa viza në Europë dhe po brenda këtij mandati do të bëhemi vend anëtar i BE-së. Për këto synime madhore na duhet mbështetja dhe vota juaj, sepse ne kemi treguar që e mbajmë fjalën", tha Bregu.