E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, pranga shqiptares me 12 kilogramë kokainë

Një shqiptare me nënshtetësi angleze është kapur në Itali duke trafikuar 12 kilogramë kokainë, ndërkohë që policia thotë se ajo ishte vetëm korriere. Gruaja shqiptare, me iniciale O.B., po udhëtonte me një makinë tip "Ford", kur është ndaluar nga Guardia di Financa. Sipas mediave italiane, Guardia di Financa, gjatë një operacioni që kishte nisur në Peruxhia, disa kilometra larg kufirit me Zvicrën, u arrestua një "ndërlidhëse" e drogës, që mbante 12 kilogramë kokainë. Nga të dhënat mësohet se në pranga ka rënë një grua shqiptare, me pasaportë angleze, e cila po udhëtonte me një "Ford Focus" me targa britanike. Arrestimi ndodhi si pjesë e një hetimi për trafikun e drogës, i koordinuar nga prokurori Xhuzepe di Perugia Petrazzini dhe Klaudio Cicchella dhe kishte qenë i iniciuar nga bashkëpunimi i policisë tatimore me Guardia di Financa. Sipas policisë italiane, furnizimi dyshohet se është bërë në Peruxhia, ndërkohë që makina është ndjekur edhe më tej. Gjatë gjithë rrugës, gruaja ka folur në telefon dhe në kufi me Zvicrën është ndaluar nga disa punonjës policie, që fillimisht kanë kërkuar dokumentet e makinës. Më pas, ata janë përforcuar nga skuadra e antidrogës, që me ndihmën e dy qenve kanë kontrolluar të gjithë makinën. Në brendësi të gomës rezervë që ndodhej në bagazh, qentë kanë nuhatur drogën dhe policia ka mundur të gjejë 22 pako të mbështjella me natriban. Pas verifikimeve ka rezultuar se në të ndodheshin 12 kilogramë kokainë e pastër. Policia ka arrestuar gruan shqiptare, O. B., së cilës i ka sekuestruar drogën, makinën dhe 450 euro. Ndërkaq, hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e porositësve të mallit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›