Porto Romano, rritet kostoja e pontilit
Vlera e projektit për ndërtimin e pontilit ku do të transportohet karburant shtohet me rreth 2.1 miliardë lekë, si pasojë e disa elementëve të paparashikueshëm. Përveç kësaj, projekti do të shtyhet për dy muaj të tjerë, duke i dhënë kohë edhe kompanive të karburantit që t‘i zhvendosin depozitat e naftës brenda muajit qershor 2009. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje disa ndryshime në projektligjin mbi marrëveshjen e ndërtimit të pontilit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, në zonën e Porto Romanos nga një kompani koncesionare, me kapital vendas. Gjatë diskutimit në komision, deputetët kërkuan më shumë sqarime rreth arsyes së vonesës të projektit, i cili duhet të ishte gati brenda janarit 2009. "Kushtet meteorologjike, ndryshimi i planit për parkun energjetik, si dhe rëndësia e portit, që konsiderohet i hapur ndërkombëtar, sollën rishikimin e kontratës me koncesionarin, i cili e pati të nevojshme shtyrjen e afatit si dhe miratimin e vlerës shtesë të investimit, në masën 2.1 miliardë lekë", u shpreh para deputetëve përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Nga kushtet e mësipërme, u vlerësua ndërtimi i dallgëthyesit, miratimi i të cilit kërkonte vendimin e tre ministrive përkatëse. Hapësira e kësaj shtese është 6 mijë metra katrorë pjesa e tokës dhe 42 mijë metra katrorë pjesa e detit. Kontrata koncesionare, ku janë aksionerë disa biznesmenë shqiptarë, ka vlerë vetëm pesë vjet, me të drejtë rinovimi.