Bregu: Statusi brenda këtij viti
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi dje se Shqipëria ka shanse të mira për të pasur statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian brenda këtij viti. Në një prononcim për mediat, Bregu deklaroi se përmbyllja e këtij pyetësori erdhi falë angazhimit të madh të administratës shqiptare në këtë proces. Sipas saj, kjo është eksperienca e parë që ka mbledhur si asnjëherë tjetër administratën publike, 1200 nëpunës të saj, për të kontribuar në një material me rëndësi të veçantë siç është pyetësori. Po kështu, ministrja e Integrimit theksoi se në bazë të përgjigjeve të këtij pyetësori do të vlerësohen reformat themelore të të gjitha fushave të shtetit shqiptar. “Veç kësaj kjo eksperiencë na ndihmoi të identifikojmë punonjësit më produktivë që do përzgjedhim për grupin e negociatave”, theksoi Bregu. Ministrja nënvizoi gjithashtu se pas shqyrtimit të këtij dokumenti, komisioni do të bëjë vlerësimin dhe do të përgatisë mendimin ndërkohë që brenda vitit 2010 pritet që këshilli të marrë vendimin për statusin e vendit kandidat.
#