Gjashtë turq largohen me forcë nga Shqipëria
Thyerja e lejeve të qëndrimit dhe abuzimi me mospagimin e taksave ka bërë që policia kufitare e Tiranës të largojë nga Shqipëria 27 persona që nga fillimi i këtij viti. Të gjithë personat e larguar janë turq dhe madje gjashtë prej tyre janë larguar me forcë, pasi nuk kanë pranuar të zbatojnë urdhrat e largimit të dhënë nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit. Në numrin total të tyre përfshihen edhe tetë punonjës të një kompanie private, të cilët morën urdhrat e largimit dy ditë më parë, pasi kishin shkelur lejet e qëndrimit në Shqipëri, e bashkë me ta u gjobit edhe administratori i kompanisë.
Urdhrat e largimitSipas të dhënave policore gjatë tre muajve, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit ka lëshuar 19 urdhra largimi për shtetas të huaj, të cilët kishin përfituar leje qëndrimi në Shqipëri, por që u kishin skaduar afatet. Në lidhje me këta 19 persona të larguar për muajt janar, shkurt dhe mars, burimet policore bënë të ditur se 13 janë larguar normal, ku kanë marrë edhe gjobat përkatëse, ndërsa gjashtë prej tyre janë larguar me forcë. Sipas policisë, pavarësisht se atyre u ishte kërkuar që të largoheshin nga Shqipëria, vazhdonin të jetonin në Shqipëri. Kjo ka detyruar oficerët e policisë t’i gjejnë dhe t’i nisin për në Turqi.
Refuzimet në kufiVeç tyre, për tre muaj, policia kufitare e Rinasit ka refuzuar hyrjet e 45 shtetasve të huaj, që sapo janë ulur nga avioni për shkak se nuk kanë pasur dokumentacion të rregullt, si dhe nuk argumentonin bindshëm qëndrimin e tyre në Shqipëri. Gjithashtu, sa i përket Rinasit, policia kufitare nuk ka lejuar të kalojnë drejt vendeve të tjera edhe 150 shqiptarë, duke i kthyer mbrapsht. Për shtetasit e huaj të kthyer mbrapsht që në Rinas, policia deklaron se ka vendosur edhe tetë gjoba të majme për shoqëritë ajrore për shkak se ka lejuar këta persona të udhëtojnë drejt Shqipërisë me mungesë dokumentacioni. Sipas të dhënave të besueshme, vlera e parave të gjobave të vëna arrin në 26 milionë lekë të vjetra për kompanitë ajrorë. Ndërsa 50 gjoba me vlerë nga 150-200 mijë lekë të vjetra janë vendosur për 50 shtetas të huaj. Këto gjoba nuk kanë të bëjnë vetëm me të kthyerit mbrapsht në kufi, por edhe me ata që janë kthyer me dëshirë në vendet e tyre, por që kishin thyer afatet e qëndrimit në vendin tonë.
Lejet e qëndrimitDuke iu referuar shifrave zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, për tre muaj në Shqipëri janë bërë gjithsej 705 aplikime për leje qëndrimi nga shtetas të huaj të ndryshëm. Burimet zyrtare shpjegojnë se për leje qëndrimi 6-mujore dhe 1-vjeçare janë regjistruar 265 aplikime. Ndërsa për rinovim lejesh qëndrimi kanë aplikuar 185 vetë. Specialistët e Kufirit për Tiranën shpjegojnë se numrin më të madh të aplikimeve për leje qëndrimi e mbajnë ata që kërkojnë leje 2-vjeçare. Vetëm në këto tre muaj kanë aplikuar 234 vetë. Ndërsa pjesa tjetër e mbetur nga totali prej 705 aplikimeve, pra 21 shtetas të huaj kanë kërkuar leje të përhershme. Shifrat kanë ardhur në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Urdhrat e funditVeç rasteve të përmendura më lart që kanë të bëjnë me tremujorin e parë të këtij viti, dy ditë më parë janë plotësuar edhe tetë urdhra largimi të tjerë, që e çojnë numrin e përgjithshëm për këtë vit në 27 turq të larguar nga Shqipëria. Në lidhje me tetë urdhrat e fundit, policia deklaroi se ata qëndronin në Shqipëri që prej dhjetorit të vitit 2009. Gjatë verifikimit të një grupi më të madh, rezultoi se këtyre u kishin kaluar afatet e qëndrimit në Shqipëri. Për këtë arsye u vendos gjobë në masën 15 mijë lekë, si dhe u nxorën urdhra largimi. “Ahmet Memisoglu, 20 vjeç, Burak Menisoglu, 22 vjeç, Mehmet Yuksel, 37 vjeç, Turgut Oz, 26 vjeç, Huseyin Guler, 39 vjeç dhe Faruk Ildeniz, 26 vjeç morën urdhër largimi 3-mujor. Ndërsa Rami Akguller, 50 vjeç dhe Ali Aktas, 23 vjeç morën urdhër largimi 6-mujor. Gjithashtu u gjobit në vlerën 400 mijë lekë pritësi i tyre, Ahmet Kardas, administrator në një kompani, pasi punësonte shtetas të huaj pa dokumente të rregullta”, përfundoi Drejtoria Rajonale e Kufirit në Tiranë.
#